KUALIFIKUESET E BOTËRORIT: Italia-Irlanda e Veriut, një ndeshje me histori dhe homazhe
Italia do të përballet me Irlandën e Veriut sonte në orën 20:45, në një ndeshje kualifikuese për Botërorin, me trajnerin Gennaro Gattuso që pritet të aktivizojë dyshen sulmuese Kean-Retegui. Para fillimit të takimit, do të mbahet një minutë heshtjeje në kujtim të Beppe Savoldit, i cili ndërroi jetë sot. Kjo ndeshje zhvillohet në Bergamo dhe do të transmetohet drejtpërdrejt në Rai Uno dhe Rai Play.
Për “axurrët” ekziston një precedent historik që shkakton drithërima: humbja 2-1 në Belfast më 15 janar 1958, e cila i kushtoi Italisë moskualifikimin e parë në histori për një Kupë Botërore. Golat atëherë u shënuan nga Mc Ilroy në minutën e 13-të, Cush në të 28-tën dhe Da Costa në të 56-tën. Italia e asaj kohe, e drejtuar nga trajneri Foni, kishte në formacion lojtarë si Bugatti, Vincenzi, Corradi, Invernizzi, Ferrario, Segato, Ghiggia, Schiaffino, Pivatelli, Montuori dhe Da Costa.
Mediat irlandeze shprehin optimizëm, me editorialin e “Belfast Telegraph” që shkruan: “Kjo është një natë ku lindin heronjtë, një natë ku Irlanda e Veriut në Bergamo do të duhet të të lërë pa frymë dhe të shokojë botën e futbollit.” Arbitri i caktuar për ndeshjen është holandezi Danny Makkelie, i asistuar nga Steegstra dhe de Vries, ndërsa gjyqtari i katërt është Gil Manzano. Në VAR do të jetë Van Boekel, me Avar Manschot.
Italia dhe Irlanda e Veriut do të ndeshen për herë të 12-të në histori, duke përfshirë kualifikueset e Botërorit, ato të Europianit dhe miqësoret. “Axurrët” kanë fituar shtatë nga këto takime, kanë humbur vetëm një herë (humbja e vitit 1958) dhe kanë barazuar tre herë, përfshirë barazimin më të fundit 0-0 më 15 nëntor 2021. Formacionet e mundshme për sonte janë: Irlanda e Veriut (3-4-2-1): P. Charles; Hume, Mcnair, Mcconville; Spencer; Mccann, S. Charles, Devenny; Galbraith, Price; Donley. Trajner: O’Neill. Italia (3-5-2): Donnarumma; Mancini, Bastoni, Calafiori; Politano, Barella, Locatelli, Tonali, Dimarco; Kean, Retegui. Trajner: Gattuso.
Marrë nga La Gazzetta dello Sport
KOHA JONË SONDAZH

