Kualifikueset e Europianit, Sylvinho pritet të bëjë ndryshime në sulmin e Shqipërisë

Do të ketë ndonjë afrim, dhe ndonjë “firo”.

E tillë pritet lista e kombëtares që do të shpallet këtë fillim të javës nga trajneri i kombëtares, Silvinjo. Burime në Federatën Shqiptare të Futbollit pohojnë se tekniku brazilian pritet të lerë jashtë Armando Brojën.

Sulmuesi i Çelsit nuk ka luajtur asnjë minutë që nga dhjetori i vitit të kaluar, në ndeshje zyrtare apo miqësore, dhe parimi i Silvinjos është që të grumbullojë vetëm ata që aktivizohen.

Gjithsesi, një yll i ri mund të bëjë debutimin, të paktën duke qenë në listë. Ky është Arbnor Muja, që është sulmues 24-vjeçar, dhe që luan në Superligën e Belgjikës me Antverpin.

Ai ka luajtur në 4 ndeshje dhe ka shënuar një gol, ndërsa ka zgjedhur Shqipërinë, ndonëse ka luajtur me Kosovën U21.

Armando Sadiku vështirë ta ruajë vendin në ekip. Burime nga Federata bëjnë me dijë se sulmuesi 32-vjeçar është më larg vëmendjes së trajnerit Silvinjo ndërsa ka kaluar prej 2 muajsh në ekipin e Superligës së Indisë, Mohun Bagan.

Silvinjo pritet të thërrasë edhe një sulmues tjetër, me gjasë Giacomo Vrioni që luan në Amerikë për New England Revolution, dhe që është aktivizuar diçka më shumë këtë sezon, në 37 për qind të minutave, dhe ka shënuar 5 gola në 20 ndeshje.

Një rikthim në ekip mund të jetë edhe ai i mbrojtësit, Arlind Ajeti. Futbollisti 29-vjeçar nga Kosova, që ka qenë pjesë e Shqipërisë në Euro 2016, ka kaluar nga Seria B e Italisë në Ligën e Parë të Rumanisë, ku luan për CFR Kluzh.

Në gjashtë ndeshje të kampionatit këtë sezon, ai ka qenë titullar në pesë prej tyre dhe madje ka shënuar edhe gol në derbin e fituar 4-3 në fushën e Universitateas.

SHKARKO APP