Kualifikueset Euro U-19 për vajza/ Shqipëria fiton 2-1 ndaj Malit të Zi, vendosin golat e Qoses dhe Ndojt
Kombëtarja shqiptare e vajzave U-19 fitoi takimin e parë të grupit B1 ndaj Malit të Zi me rezultatin 2-1, e vlefshme për raundin e parë të kualifikueseve të Kampionatit Europian 2025 për këtë grupmoshë. Vajzat dominuan ndeshjen në “Arenën Kombëtare” dhe golat e fitores u shënuan nga Adela Qose dhe Xhesika Ndoj.
Shqipëria e menaxhoi shumë mirë ndeshjen dhe në minutat e para ishte e kujdesshme në prapavijë. Vajzat zhbllokuan takimin në minutën e 30-të me një gol shumë të bukur nga Adela Qose. Pjesa e parë u mbyll 1-0. Fraksioni i dytë nuk nisi mirë për Shqipërinë. Mali i Zi barazoi rezultatin me Nada Doknić në minutën e 48-të.
Trajnerja Luçije Gjini kreu zëvendësimin e parë në minutën e 56-të. Nga loja doli Bora Bushati dhe u aktivizua Rigela Hysa. Vajzat kuqezi morën sërish avantazhin në minutën e 68-të me kapitenen Xhesika Ndoj, e cila mposhti portieren kundërshtare me një goditje nga brenda zonës.
Vajzat dominuan deri në fund të takimit dhe shpërdoruan edhe disa raste të mira shënimi. Në fund, sfida u mbyll me fitoren e Shqipërisë 2-1. Në ndeshjen tjetër të grupit B1, Bjellorusia U-19 u ndesh me Moldavinë U-19, teksa vajzat bjelloruse triumfuan me rezultatin 10-0 në takimin e luajtur në Shtëpinë e Futbollit.
Protagoniste absolute e ndeshjes ishte mesfushorja Anastasiya Kavaliova, e cila shënoi shtatë gola, 3 në pjesën e parë dhe 4 në pjesën e dytë, ndërsa tre golat e tjerë u shënuan nga Veranika Kaliuta.
Më 30 nëntor, vajzat kuqezi do të luajnë ndeshjen e dytë në grup kundër Moldavisë, në orën 13:30, ndërsa më 3 dhjetor do të luajnë sfidën përmbyllëse të këtij raundi ndaj Bjellorusisë në të njëjtën orë.