Kukësi jep lajmin e madh për ndërtimin e stadiumit të ri
Kukësi do të ketë brenda vitit stadiumin e re, të premtuar nga presidenti Safet Gjici. Pasi numri 1 i klubit verilindor mori zyrtarisht detyrën e kryetarit të bashkisë, u mor vendimi për nisjen e punimeve.
Njoftimi i plotë i klubit verilindor
“Ditën e hënë, me datë 5 gusht 2019, ora 10:00, nisin punimet për ndërtimin e stadiumit të ri të qytetit të Kukësit.
Kreu i bashkisë Kukës, Safet Gjici do të inaugurojë fillimin e ndërtimit të impiantit të ri sportiv, fusha e të cilit do të jetë me bar natyral, standarde europiane si dhe me kapacitet deri 8 mijë shikues, duke plotësuar kështu elementët për të zhvilluar në këtë stadium ndeshjet ndërkombëtare.
Një fond prej 5 milionë eurosh, në një bashkëpunim mes Qeverisë shqiptare dhe FSHF-së, do të mundësojë ndërtimin e këtij impianti brenda një viti.
Ftojmë mediet, ish-sportistë, tifozët dhe dashamirësit e Fk Kukësit që të marrin pjesë në ceremoninë e inaugurimit të kësaj vepre mjaft të rëndësishme sportive.
Klubi ynë e ka vuajtur mungesën e një stadiumi të tillë, sidomos këtë sezon futbollistik, gjë që ndikoi dhe në rezultate, pasi loja në prani të tifozërisë është më rezultative.
Parashikohet që të punohet me ritme të larta dhe pas një viti ekipi t’i rikthehet qytetit dhe tifozërisë që e ka ndjerë mungesën e tij.
Gjatë 7 sezoneve futbollistike në Kategorinë Superiore, skuadra jonë ka arritur të sigurojë pjesëmarrjen në kupat e Europës.
Në arenën kombëtare ka arritur të fitojë një herë titullin Kampion dhe dy herë Kupën e Shqipërisë.”