Kukësi mposht Flamurtarin dhe merr kreun
Të vetëm në krye. Kukësi imponohet ndaj Flamurtarit 1-0 falë një goli të Izair Eminit për të pronësuar i vetëm kreun e Superiores. Fitore me peshë për skuadrën e Gjokës që rikthehet te tre pikët pas barazimit me Partizanin, me Flamurtarin që nuk thyen dot tabunë Zeqir Ymeri duke u ndalur pas dy fitoreve radhazi.
Kukësi konkretizon në minutën e 23, aksion i bukur në të majtë i nisur nga Imami, dhe i vazhduar nga Karioka që shpërthen në krah dhe pason në qendër, nuk arrin ta gjuajë Pejic, por është aty ku duhet Emini që tund rrjetën.
Edhe pse me vuajtje Kukësi merr atë që donte, 3 pikët, duke lënë pas Skënderbeun dhe tani pret Korabin. Flamurtari pas disfatës së 9 në po kaq ndeshje në këtë stadium i duhet të përgatitet për Partizanin.
Ndërkohë, Vllaznia dhe Luftëtari i japin një tjetër imazh futbollit shqiptar. Gola, lojë spektakolare dhe emocione dhuroi 90 minutëshi i “Loro Boriçit”, një kartolinë që dhurojnë dy prej skuadrave më produktive të Kategorisë Superiore. 3-2 fitoi Luftëtari i MIlinkovic në tempullin e futbollit shqiptar, me një ndeshje leksion futbolli për kryesuesit e këtij sezoni sepse bluzinjtë po konfirmohen skuadra më e bukur e sezonit aktual. 3 gola të shënuar ndaj një prej skuadrave më të ekuilibruara të superiores por edhe raste të panumërta nga të dyja krahët për dy skuadra që këtë fillim sezoni kuotoheshin në listën e ekipeve në rrezik mbijetese. Asnjë sekondë paqe dhe ritëm frenetik që në vërshëllimën e arbitrit me Luftëtarin që mori kontrollin e lojës dhe arriti të shënonte që në minutën e 6.
KOHA JONË SONDAZH

