Kumbulla gjen golin, Espanyol fiton derbin e shqiptarëve në La Liga

Derbin në La Liga këtë të shtunë e ka fituar Marash Kumbulla. Espanyol i mbrojtësit kuqezi ia ka dalë të fitojë në shtëpi përballë Mallorca-s së Vedat Murriqit, me Kumbullën që hapi serinë e golave të kësaj sfide. Një kros të Jofre, shqiptari e shfrytëzoi më së miri në minutën e 18-të të takimit duke fluturuar në ajër për ta dërguar mrekullisht me kokë në portë.

Ky ishte goli i parë i Kumbullës me fanellën bardhekaltër të katalanasve, që ngriti peshë 40.000 tifozë në RCDE Stadium. Që prej transferimit te Espanyol në merkaton e verës nga Roma, shkodrani është kthyer në një nga shtyllat e formacionit, duke luajtur 8 ndeshje si titullar për 90’ minuta.

Espanyol triumfoi me rezultatin 2-1, duke u ngjitur përkohësisht në vendin e 12 të tabelës me 10 pikë, ndërsa Kumbulla u vlerësua si lojtari më i mirë i ndeshjes me notën 8.6.

SHKARKO APP