Kumbulla: Nuk jam unë lideri në Kombëtare, ja çfarë më tha Chiellini për kalimin te Roma!
Marash Kumbulla doli sot në konferencë për shtyp në “Air Albania Stadium” në prag të dy sfidave të radhës. 20-vjeçari ka komentuar fillimisht transferimin te Roma, ndërkohë që u shpreh i gatshëm për të dhënë kontributin e tij në repartin defensiv në mbrojtje.
“Kam shkuar në një klub me histori në Itali. Ndoshta më ndihmon me kombëtaren. Trajneri është ai që vendos. Me rëndësi është që kombëtarja të luajë mirë dhe të ruajë rezultate. Nuk është vetëm problem i mbrojtjes, mbron i gjithë ekipi. Do përmirësohemi në të gjitha repartet vazhdim. Unë nuk e di a jam titullar apo jo.
Vendos trajneri. Shpresoj të luaj dhe të ndihmojë skuadrën. Jam mbrojtës i ri dhe nuk jam unë ai që bëj liderin. Janë Berati e Dermaku para meje që mund të bëjnë liderin. Trajneri nuk më ka kërkuar asgjë specifikisht. Duhet të stërvitem fort dhe të luaj me ekipin tim.
Kam ndërruar bluzën me Chiellinin, pasi është idhulli im. Më tha bravo që zgjodha të shkoj te Roma. Kombëtarja humb pa senatorë, pasi ata kanë vite këtu. Por edhe ne të rinjtë kemi karakter. Në çdo ndeshje ne futemi në fushë për të fituar. Mendojmë për ndeshjen me Kazakistanin, për atë flet trajneri. Le të fitojmë atë ndeshje si fillim”, u shpreh Kumbulla.