Kumbulla për “Sky Sport”: Te Roma jemi të bashkuar, Dzeko një shembull
Marash Kumbulla gjatë verës ishte një nga blerjet e mëdha të skuadrës së Romës. Mbrojtësi i Kombëtares sonë ka arritur që të tregojë menjëherë vlerat e tij që në dy ndeshjet e para kundër Juventusit dhe Udineses. Në një intervistë të dhënë së fundmi për “Sky Sport”, ai ka treguar impresionohet e para të aventurës në kryeqytetin italian.
“Më ka pëlqyer shumë atmosfera në dhomat e zhveshjes, jemi shumë të bashkuar. Ka shaka dhe humor, më pas sigurisht edhe minuta serioziteti. Më ka bërë përshtypje fakti që jemi një grup i bashkuar”, deklaroi mbrojtësi 20-vjeçar.
E keni njohur pronarin e ri Friedkin? Çfarë impresionesh keni?
“Është gjithmonë thuajse në Trigoria, ndaj dhe e shohim gjatë gjithë ditës. Më ka bërë përshtypje pozitive, tregon se jemi të bashkuar”.
Markoni Dzekon në stërvitje?
“Edin është i vështirë për t’u markuar, por kjo më ndihmon për t’u përmirësuar edhe më shumë. Të markosh një futbollist si Dezko në çdo stërvitje, të bën edhe më të mirë”.
Ai ka thënë se dëshiron të gjejë formën e tij më të mirë? Ti si e shikon?
“Dzeko stërvitet në maksimum, e kam pqrë shumë mirë. Është një shembull i mirë për të gjithë ne, një kapiten. Jam i bindur që këtë të diel, apo në javët e ardhshme do të zhvillojë ndeshje të mira”.
Cili është objektivi i skuadrës?
“Që të japim maksimumin në fushë, nuk duhet të vendosim limite, por të bëjmë më të mirën e mundshme. Më pas të shohim se si do të shkojnë gjërat”.
Çfarë mendon për dy afrimet e reja, Pedro dhe Smalling?
“Janë futbollistë që të japin një karikim më shumë, kanë një eksperiencë të pabesueshme. Të ndjekësh ata, me siguri që të bën mirë”. /Rozalb Lika-Koha Jone/