Kumbulla rikthehet titullar te Roma, e konfirmon trajneri Fonseca
Marash Kumbulla do të luajë titullar në përballjen mes Romës dhe Fiorentinës në “Artemio Franchi”. Aktivizimin e mbrojtësit shqiptar e konfirmoi vetë trajneri Paulo Fonseca në konferencën për shtyp para ndeshjes. Roma e ka detyrimin të ngrejë kokën pas hapit të gabuar në sfidën e shtëpisë me Milanin.
“Kumbulla është gati dhe ai do të luajë nesër, Smalling do të thirret, por ai nuk është në gjendjen më të mirë fizike për të luajtur 90 minuta”.Borja Mayoral do të luajë, nuk do të ketë rotacion. Është e vërtetë që kemi pasur shumë ndeshje, por me shumë probleme në mbrojtje është më e vështirë për t’u menaxhuar loja. Ne do të ndryshojmë 2-3 lojtarë. Në portë do të luajë Pau Lopez.”, zbuloi strategu i Romës.
Këtë sezon Kumbulla është aktivizuar në 18 ndeshje në total, 13 prej të cilëve në kampionat. Në total deri më tani ka shënuar dy gola, teksa shkodrani shpreson që të rigjejë formën e tij më të mirë për të ndihmuar ekipin kryeqytetas.