KUPA E ITALISË – Atalanta shkatërruese: “Poker” ndaj Genoas (me 10 lojtarë për një orë). Në çerekfinale e pret Juventusi
Atalanta mposht 4-0 Genoan në ndeshjen e vlefshme për 1/8-at e finales së Kupës së Italisë, falë golave të Djimsitit, De Roon, Pasalic dhe Ahanor. Në çerekfinale, skuadra nga Bergamo do të presë Juventusin, sërish në stadiumin e saj. Përballja vinte pas rezultateve pozitive për të dyja skuadrat: Atalanta kishte mposhtur 2-0 Fiorentinën në kampionat, ndërsa Genoa i ishte rikthyer fitores në Marassi pas 239 ditësh duke mundur 2-1 Veronën. Statistikat historike ishin qartësisht në anën e vendasve, të cilët nuk kishin humbur asnjë nga 10 ndeshjet e fundit kundër Genoas (6 fitore e 4 barazime), ndërsa kuqeblutë nuk arrinin në çerekfinale të Kupës që nga sezoni 1991-92. Nga ana tjetër, Atalanta ka arritur të paktën në këtë fazë të kompeticionit në çdo sezon që nga 2017-18. Trajneri Palladino bëri pak ndryshime në formacion, duke aktivizuar Sportiellon në portë, Kolasinac në mbrojtje, Pasalic e Zalewski në mesfushë dhe Kamaldeen Sulemana në sulm. Nga ana tjetër, De Rossi iu përgjigj me një skemë 3-4-2-1, me Stanciu dhe Carboni në mbështetje të sulmuesit të vetëm, Ekhator.
Ndeshja nisi me një minutë heshtje në kujtim të Nicola Pietrangeli. Që në fillim, ishte Atalanta ajo që mori kontrollin e lojës. Skuadra e Bergamos, megjithëse pa një intensitet të furishëm, orkestroi me qetësi manovrat sulmuese. Shenja e parë e rrezikshme erdhi nga Mario Pasalic, i cili goditi traversën me kokë pas një krosimi nga De Ketelaere. Ky ishte vetëm paralajmërimi për atë që do të ndodhte pak çaste më vonë. Në minutën e 19-të, mbrojtësi shqiptar Berat Djimsiti, i lënë krejtësisht i vetëm në zonë, shfrytëzoi në mënyrë perfekte një krosim nga e majta të Zalewskit dhe me një goditje të saktë me kokë kaloi skuadrën e tij në avantazh. Megjithatë, vetëm dy minuta më pas, Atalanta mori një lajm të keq: sulmuesi Sulemana u detyrua të linte fushën për shkak të një problemi muskulor në aduktorin e djathtë. Në vend të tij u aktivizua Daniel Maldini. Dëmtimi i ganezit është një shqetësim serioz, duke pasur parasysh se pas dhjetë ditësh Ademola Lookman do të niset për në Kupën e Afrikës dhe Sulemana shihej si zëvendësuesi i tij kryesor.
Hyrja e Maldinit rezultoi menjëherë e frytshme për dinamikën e lojës. Vetëm pak minuta pas aktivizimit, ai ekzekutoi një goditje dënimi mjeshtërore nga kufijtë e zonës, por topi u stampua në shtyllën e majtë të portierit Siegrist. Atalanta vazhdoi të dominojë, por pa arritur të dyfishojë rezultatin, ndërsa Genoa nuk po arrinte të krijonte rreziqe serioze për portën e mbrojtur nga Sportiello. Momenti vendimtar i pjesës së parë erdhi në minutën e 37-të. Bellanova u nis i vetëm drejt portës dhe u rrëzua nga Fini. Gjyqtari Perri nuk hezitoi dhe e ndëshkoi lojtarin e Genoas me karton të kuq direkt për ndërprerje të një rasti të pastër për gol. Sistemi VAR kontrolloi për një pozicion të mundshëm jashtë loje të Bellanovës, por konfirmoi vendimin e arbitrit. Duke mbetur me dhjetë lojtarë, misioni i Genoas u bë praktikisht i pamundur. Pjesa e parë u mbyll me rezultatin 1-0 për vendasit, të cilët përveç golit kishin goditur edhe një traversë e një shtyllë, si dhe përfituan nga superioriteti numerik.
Në fillim të pjesës së dytë, trajneri De Rossi bëri një lëvizje taktike, duke futur mbrojtësin qendror Marcandalli në vend të Carbonit, në përpjekje për të riorganizuar skuadrën. Megjithatë, çdo plan i Genoas për një përmbysje të mundshme u shua shpejt. Në minutën e 55-të, Marten de Roon realizoi një gol të mrekullueshëm. Pas një asisti nga Maldini, mesfushori holandez goditi menjëherë me pjesën e jashtme të këmbës së djathtë, duke e dërguar topin në rrjetë dhe duke dyfishuar avantazhin për Atalantën. Ky gol praktikisht i vuri vulën ndeshjes. Ritmi i lojës gradualisht ra, me Atalantën që kontrollonte plotësisht situatën. Trajneri Palladino bëri disa zëvendësime, duke futur në fushë Samardzic, Ahanor dhe Brescianini në vend të De Ketelaere, Kolasinac dhe Djimsitit. Edhe Genoa bëri disa lëvizje, duke aktivizuar Ekuban, Onana dhe Cuenca.
Dominimi i vendasve u konkretizua me dy gola të tjerë në fund të takimit. Në minutën e 82-të, një gjuajtje e gabuar e Scamaccas u shndërrua në një asist perfekt për Mario Pasalic, i cili i gjendur në shtyllën e dytë, e pati të lehtë ta shtynte topin në portën e boshatisur nga dy hapa distancë. Goli i tretë ishte një shpërblim për mesfushorin kroat, i cili ishte rikthyer si titullar në këtë ndeshje. Në minutat shtesë, festa u kompletua me golin e katërt, të shënuar nga i riu Ahanor. Pas një goditjeje nga këndi, topi u devijua nga 17-vjeçari dhe përfundoi në rrjetë, duke vulosur rezultatin përfundimtar 4-0. Kjo ishte fitorja e tretë radhazi për skuadrën e Palladinos në të gjitha kompeticionet (3-0 ndaj Eintracht në Champions League, 2-0 ndaj Fiorentinës në Serie A dhe 4-0 ndaj Genoas në Kupë), dhe të treja pa pësuar gol. Me këtë sukses bindës, Atalanta kalon në çerekfinale ku do të përballet me Juventusin, ndërsa Genoa i jep lamtumirën kompeticionit dhe tashmë do të përqendrohet plotësisht te beteja për mbijetesë në kampionat.
KOHA JONË SONDAZH

