Kupa e Mbretit do luhet me tifozë, data e re ende nuk është caktuar
Presidenti i Federatës së Futbollit të Spanjës, Luis Rubiales, thotë se përderisa ende nuk është vendosur asnjë datë për finalen e Kupës së Mbretit, ata duan ta caktojnë atë në atë mënyrë që në stadium të ketë tifozë.
Ndeshja mes Real Sociedadit dhe Athletic Bilbaos fillimisht ishte planifikuar të luhej më 18 prill, por është shtyrë për shkak të përhapjes së Koronavirusit.
Kupa e Mbretit është vetëm njëra nga shumë garat sportive që është ndikuar nga pandemia Covid-19.
Përderisa po ndërmerren masa që këto gara të mos anulohen plotësisht, por të rinisin sërish, Rubiales thotë se Federata Spanjolle s’e preferon zhvillimin e kësaj finaleje pa tifozë.
Rubilas u takua dje me presidentët e Lidhjeve Rajonale në Spanjë, para se të sqaronte në një konferencë për shtyp se finalja mund të shtyhet edhe deri sezonin e ardhshëm.
“Nuk kemi ende datë. E diskutuam si të mundshme datën e 31 majit, por është e qartë se nuk dihet se çfarë do të ndodhë duke parë ngjarjet e ditëve të fundit”, ka thënë Rubiales.
“Presidentët e Athletic Bilbaos dhe Real Sociedadit do të jenë në negociata. Por, është e rëndësishme që në finale të ketë të pranishëm tifozë”, tha presidenti i Federatës Spanjolle të Futbollit.