“Kupa e Miqësisë” në “Loro Boriçi”, Vllaznia e Veteranëve ngre trofeun
Stadiumi “Loro Boriçi” në Shkodër u kthye në arenën e një feste të veçantë sportive, ku disa prej emrave të njohur të futbollit shqiptar u rikthyen në fushë për “Kupën e Miqësisë”.
Në turne morën pjesë Kombëtarja Shqiptare e Veteranëve, Vllaznia e Veteranëve, Flamurtari i Veteranëve dhe Michigan, në një aktivitet të organizuar me në fokus sportin, miqësinë dhe respektin për figurat që kanë kontribuar ndër vite në futboll.
Turneu nisi me përballjen mes Vllaznisë dhe Flamurtarit, me shkodranët që siguruan fitoren minimale 1-0 dhe kaluan në finale.
Në gjysmëfinalen tjetër, Kombëtarja Shqiptare e Veteranëve u përball me Michigan. Koha e rregullt përfundoi në barazim 1-1, ndërsa fituesi u përcaktua nga gjuajtjet e penalltive. Kuqezinjtë u treguan më të saktë dhe triumfuan 4-3, duke siguruar një vend në finalen e turneut.
Sfida për trofeun vendosi përballë Vllazninë e Veteranëve dhe Kombëtaren Shqiptare të Veteranëve. Shkodranët dolën sërish fitues, këtë herë me rezultatin 2-1, duke ngritur trofeun e “Kupës së Miqësisë”.
Përtej rezultateve, turneu në “Loro Boriçi” shërbeu si një mundësi për të rikthyer në fushë ish-futbollistë të njohur dhe për të bashkuar breza të ndryshëm rreth pasionit për futbollin.
“Kupa e Miqësisë” solli në plan të parë emocionet e sportit, respektin mes skuadrave dhe vlerën e futbollit si një pikë takimi mes njerëzve që kanë lënë gjurmë në historinë e tij.




