Kupa e Shqipërisë/ Vllaznia dhe Egnatia kualifikohen me fitore minimale, nuk gabon as Teuta
Janë mësuar tre skuadra të tjera që kanë prerë biletën për në çerekfinalet e Kupës së Shqipërisë, pas fitoreve minimale, por vendimtare në ndeshjet e fazës së 1/8-ave.
Vllaznia vijon rrugëtimin në turne pas suksesit 1-0 ndaj Pogradecit. Kuqeblutë e drejtuar nga Edi Martini e zgjidhën sfidën vetëm në minutat e fundit, kur Elmando Gjini realizoi golin e fitores me një goditje me kokë në minutën e 84-t, duke i dhënë fund rezistencës së pogradecarëve. Takimi u shoqërua edhe me momente tensioni.
Kualifikim të rëndësishëm siguroi edhe Egnatia, e cila konfirmoi statusin e kampiones në fuqi duke mposhtur Apoloninë me rezultatin minimal 1-0 në “Arena Egnatia”. Goli që vendosi ndeshjen u shënua nga Buriç, i cili në minutën e 19-të u tregua i saktë me kokë pas një aksioni të ndërtuar mirë.
Pa vështirësi kaloi më tej edhe Teuta. Skuadra e drejtuar nga Enkelejd Dobi triumfoi 2-0 ndaj Vorës në stadiumin “Niko Dovana”, duke kontrolluar ndeshjen nga fillimi në fund. Jurguens hapi serinë e golave me një goditje të bukur nga distanca, ndërsa Toli vulosi rezultatin përfundimtar, duke mbyllur çdo diskutim për fatin e takimit.
KOHA JONË SONDAZH

