Lajm i keq për Barcelonën, Lewandowski dëmtohet dhe humbet “El Clasicon”
Barcelona përballet me lajme të këqija vetëm pak ditë para supersfidës ndaj Real Madridit më 26 tetor. Sulmuesi polak Robert Lewandowski është kthyer nga grumbullimi me kombëtaren e Polonisë me një dëmtim muskulor në bicepsin femoral të kofshës së majtë, që pritet ta mbajë jashtë fushave për rreth katër javë.
Sipas mjekëve të klubit katalanas, dëmtimi është konfirmuar pas ndeshjes kualifikuese për Botërorin ndaj Lituanisë, ku Lewandowski luajti për 90 minuta dhe shënoi një gol. Mungesa e tij vjen në një moment delikat për Barcelonën, që tashmë ka humbur Joan Garcían, ndërsa Raphinha mbetet ende në dyshim dhe Dani Olmo vazhdon të jetë jashtë për shkak të problemeve muskulore në këmbën e majtë.
Trajneri Hansi Flick do të duhet të bëjë llogaritë pa golashënuesin e tij më të mirë në ndeshjen më të rëndësishme të sezonit, por mund të mbështetet te Ferran Torres, Fermín López dhe Lamine Yamal, i cili është rikthyer në stërvitje dhe pritet të jetë gati për ndeshjen e ardhshme ndaj Girona-s.
KOHA JONË SONDAZH

