Lajm i keq për Milanin, Jashari dëmtohet rëndë në stërvitje
Në prag të ndeshjes delikate në transfertë kundër Lecce-s, ku Milani kërkon të rikthehet te fitorja pas humbjes zhgënjyese në shtëpi ndaj Cremonese-s, vjen një tjetër lajm i keq për trajnerin Massimiliano Allegri.
Gjatë stërvitjes së fundit, Ardon Jashari ka pësuar një dëmtim pas një përplasjeje me shokun e skuadrës, Gimenez. Sipas raportimeve të para, lëndimi mund të jetë më serioz nga sa u mendua fillimisht, pasi mesfushori zviceran ka marrë një goditje të fortë në fibula dhe dyshohet për një frakturë, që mund ta mbajë larg fushave për të paktën dy muaj.
Jashari, i cili kishte bërë një paraqitje të mirë në Kupën e Italisë kundër Bari-t, por një ndeshje më të zbehtë ndaj Cremonese-s, rrezikon një ndalesë të gjatë në një moment të rëndësishëm të sezonit, teksa ekipi është ende në fazën e plotësimit të formës.
Pritet që në orët e ardhshme të kryhen ekzaminimet përfundimtare për të përcaktuar shkallën e dëmtimit. Nëse dëmi konfirmohet, Milani mund të detyrohet të rikthehet në merkato, me emrin e Adrien Rabiot që mbetet një opsion i hapur, ose të ndalojë largimin e Musah, i cili prej ditësh ndiqet nga Atalanta.
KOHA JONË SONDAZH

