Lajm i madh te Barcelona, rikuperohet nga dëmtimi i rëndë Suarez
Ende nuk ka një datë të caktuar për rifillimin e La Ligas, por Barcelona mund të ketë në dispozicion edhe Luis Suarez. Katër muaj pas operacionit në meniskun e gjurit të djathtë, sulmuesi uruguaian është rikuperuar plotësisht dhe do të jetë në gjendje të jetë në dispozicion për sfidën e parë ndaj Celta Vigos.
Sulmuesi, i cili ka një rol thelbësor në ekipin balugrana do të luajë edhe në sfidën e kthimit ndaj Napolit në “Camp Nou”. Suarez do të kryejë vizita të tjera mjekësore për të parë gjendjen, por sipas mediave iberike situata e tij është shumë premtuese, ai do të jetë në gjendje që të luajë që në muajin e ardhshëm.
Koha e rikuperimit ishte katër muaj, kishte shkaktuar panik, pasi Setien nuk kishte asnjë qendërsulmues në dispozicion në Champions League. “Pistolero” mungoi vetëm në 12 ndeshje nga 28 siç ishte parashikimi, që ndryshoi për shkak të koronavirusit. Deri më tani Suarez ka shënuar 14 gola dhe 10 asist në 23 ndeshje.
Për Barcelonën do të jetë një rikuperim i rëndësishëm, teksa mbeten edhe 11 ndeshje në kampionat, si dhe sfidat e Championsit. Dy kompeticione, ku skuadra e Setien beson se mund të arrijë deri në fund. Rino Gattuso dhe Napoli tashmë duhet të mendohen mirë për duelin e kthimit në “Camp Nou”. /R.Lika-Koha Jone/