Lamtumira e fundit për Maradonën, varrimi që sot, mijëra argjentinas në homazhe
Pas shokut dhe dhimbjes, nuk mbetet asgjë tjetër përveçëse kujtimi. Vdekja e Diego Armando Maradonës hidhëroi botën mbarë, por më shumë Argjëntinën dhe argjentinasit, të cilët me mijëra vazhdojnë të bëjnë homazhe përpara arkivolit të legjendës së futbollit, të mbuluar me flamurin bardhekaltër, që është vendosur në pallatin presidencial “Casa Rosada” në Buenos Aires.
Përpara lejimit të tifozëve, familjarët dhe miqtë e tij më të afërt zhvilluan një ceremoni private. E tillë do të jetë edhe lamtumira e fundit, pasi në ceremoninë e varrimit do të marrin pjesë shumë pak njerëz.
Ndërkohë, autoritetet kanë përcaktuar edhe shkakun e vdekjes së 60-vjeçarit. Sipas rezultateve paraprake të autopsisë, ishte një “insuficence kardiake akute” që i mori jetën Diego Armando Maradonës.
Edhe pas ceremonisë zyrtare, Argjentina ka shpallur zi kombëtare edhe për tre ditët në vijim, teksa qindra inisiativa janë në program për të nderuar yllin e futbollit botëror.