Lara Colturi mbyll garimin në Olimpiadë, mbetet jashtë zonës së podiumit
Shqipëria mbylli sot zyrtarisht pjesëmarrjen në Milano‑Cortina 2026 Winter Olympics, duke i dhënë fund një edicioni historik për sportet dimërore shqiptare, ku për herë të parë vendi u përfaqësua nga katër skiatorë në një Olimpiadë.
Shpresa kryesore për një rezultat të madh ishte Lara Colturi. Skiatorja 19-vjeçare zhvilloi një lëshim të parë pozitiv në garën e slalomit, ku u rendit e shtata, vetëm 1.26 sekonda larg kryesueses. Megjithatë, në zbritjen e dytë ajo nuk arriti të përmirësonte kohën dhe mbeti jashtë zonës së podiumit.
Ndërkohë, dy sportistet e tjera kuqezi nuk arritën ta përfundonin garën. Semire Dauti u tërhoq pas një gabimi në sektorin e dytë të pistës, ndërsa Lisa Brunga u skualifikua nga komisarët, edhe pse kishte regjistruar kohën 57.58 në zbritjen e saj.
Ky edicion olimpik do të mbetet i veçantë për Shqipërinë, pasi për herë të parë morën pjesë katër skiatorë: përveç Colturi, në pistat olimpike garuan edhe Denni Xhepa, Dauti dhe Brunga, duke shënuar prezencën më të madhe shqiptare ndonjëherë në Lojërat Olimpike Dimërore.
KOHA JONË SONDAZH

