Largim i papritur nga Tirana, Tefik Osmani: Ekipi që më dha shumë emocione, sfida dhe ndihem krenar
Një largim i papritur tek Tirana, Tefik Osmani nuk është më drejtori sportiv i bardhebluve. Pasi larguan trajnerin Orges Shehi për shkak të rezultateve të dobëta, te Tirana duket se do ketë ndryshime të tjera, ndërsa edhe Osmani nuk është më pjesë e klubit.
“Rrugëtimit tim të mrekullueshëm me KF Tiranën i erdhi fundi. Është ekipi që më dha shumë emocione, sfida dhe ndihem krenar që isha pjesë e këtij klubi të madh. Falenderoj familjen Halili, stafin, lojtarët e mrekullueshëm gjatë 3 viteve ku ndamë gëzime dhe lot. Tifozët e mrekullueshëm që mbështesin ekipin e tyre në çdo rast. Jam krenar që m’u dha mundësia të shkruam me modesti emrin tim në këtë klub të madh”, njofton Osmani.
Tefik Osmani e mbylli karrierën si futbollist pikërisht tek Tirana, pasi fitoi titullin kampion në sezonin 2019-2020 dhe nisi të ushtrojë rolin e drejtorit sportiv te bardheblutë. Aventura e tij e parë në rolin e një drejtuesi ishte e suksesshme, pasi ish-mbrojtësi fitoi titullin kampion në sezonin 2021-2022.