Largim nga “Skënderbeu”? Salihi shuan kureshtjen e tifozëve korçarë
Në orët e fundit të merkatos u përfol një largim i mundshëm i Hamdi Salihit nga Skënderbeu. Klubi ka punuar për një shitje të sulmuesit, pas dy ofertave që ka marrë së fundmi, veçanërisht ajo nga Australia e klubit Adelajde Junajtid. Megjithatë, për “Panorama Sport” është vetë shkodrani që shuan çdo dilemë.

“Janë gjëra të kaluara sa u përket ofertave, ndërsa tani për momentin s’ka asgjë të re. Nuk largohem nga Skënderbeu”, ka thënë shkurtimisht dje sulmuesi kryesor i korçarëve. Trajneri Ilir Daja e konsideron shkodranin si lojtarin që do të mbështetet në repartin e sulmit. Pritej që Salihi të luante titullar ndaj Flamurtarit, por një dëmtim në ndeshjen miqësore ndaj Kombëtares Shpresa bëri që të pushonte në javën e 19.
Gjasat janë që sulmuesi të rikthehet këtë fundjavë në takimin kundër Korabit. Sa i përket ndeshjes së Kupës të mërkurën, nuk pritet të aktivizohet në Laç. Në pjesën e parë të sezonit, Salihi shënoi 6 gola, ndërsa makth iu kthyen penalltitë, duke humbur tri të tilla. Gjithsesi, 32-vjeçari mbetet shpresa e sulmit të kampionëve drejt realizimit të objektivave./panoramasport/
KOHA JONË SONDAZH

