Lazio i jep një tjetër shans Strakoshës dhe Muriqit sonte në mbrëmje
Kupa e Italisë është një shans për të parë në fushë dhe futbollistët që aktivizohen më pak në kampionat. Lazio sonte në mbrëmje do të sfidojë Parmën, teksa do të jetë një mundësi e mirë për të parë në fushë edhe Thomas Strakoshën dhe sulmuesin Vedat Muriqi.
Portieri shqiptar do të rikthehet si titullar, pasi mungonte që nga 6 janari, kur edhe u dëmtua kundër Fiorentinës. Ndërkohë sulmuesi kosovar do të ketë shansin e fundit për të treguar vlerat e tij, pasi do të formojë dyshen sulmuese me Pereira-n.
Muriqi ende nuk ka mundur që të gjejë golin e parë me fanellën e bardhekaltërve, teksa nëse do të dështojë edhe sonte, mund të rrezikojë largimin që në janar. /R.Lika-Koha Jone/