Liga e Futbollit: Bojkoti do të vazhdojë. Ylli: Rama ka vullnet që kërkesat ti plotësojmë

Në pikun e debatit për ngecjen e futbollit në vend, të hënën në ambientet e stadiumit “Air Albania” u zhvillua mbledhja e Ligës Profesioniste. Liga profesioniste e futbollit u ballafaqua për herë të parë me negociatorët e qeverisë për çështjen e “ligjit të sportit”. Replikat në media u zhvendosën në tavolinë teksa mbledhjes në ambientet e stadiumit të ri kombëtar, i’u bashkua edhe deputeti dhe negociatori i qeverisë, Fidel Ylli. ”Kur ka debate ka dhe zgjidhje. Është vullneti i kryeministrit, qeverisë, parlamentit që kërkesat do ti plotësojmë. Duke parë axhëndën e kryeministrit, do të jemi në zyrat e qeverisë për të folur edhe me detaje. Me ministren e Financave do të flas por edhe me kryeministrin, që topin e futbollit javës tjetër ta kthejmë në fushë”,- u shpreh Ylli.

Nga ana tjetër, ai u shpreh se pretendohet që kampionati të nisë javën e ardhshme, megjithatë mbetet të shihet pasi presidenti i Ligës së Kategorisë Superiore, Edvin Libohova ka një tjetër qëndrim. Ai deklaron se bojkoti do të vazhdojë, por përshëndet vullnetin e qeverisë për të plotësuar kërkesat. ”Ramë dakord për të dërguar të gjithë komentet mbi katër kërkesat që kemi bërë. Do të kthehem përsëri mbrapa për t’i përgatitur. Përshëndesim deklaratën e zotit Ylli që qeveria është e gatshme për të realizuar kërkesat dhe që është në sinkron me ne. Ne do të vazhdojmë me procedurat, do të shohim në dinamikë situatën sesi do të shkojë. Situata nuk pritet me thikë sot, po e ndjekim gjithë pasditen. Bojkoti? Sigurisht që vazhdon”, u shpreh Libohova.

Një farë hapjeje nga të dyja palët, që lë të kuptohet se në luftën e forcës të dy kampet të paktën kanë nisur të dalin nga llogoret respektive, çka rrit shpresat për një nisje të kampionatit, edhe pse për momentin, kreu i Ligës konfirmoi edhe zyrtarisht se bojkoti do të vazhdojë, çka u konfirmua edhe më vonë nëpërmjet një komunikate zyrtare.

Liga Profesioniste e Futbollit i ka bërë thirrje gjatë këtyre ditëve thirrje komunitetit shqiptar të sporteve, shoqërisë civile dhe opinionit të gjerë shoqëror të bashkohen me kërkesat e klubeve dhe të mbështesin futbollin. Klubet i kanë paraqitur qeverisë disa kërkesa dhe më konkretisht uljen e TVSH-së në masën 6%; faljen e gjobave dhe kamatëvonesat e detyrimeve tatimore, fiskale e të sigurimeve të prapambetura; efektet e pezullimit të tatimit mbi të ardhurat personale të lojtarëve, të shtrihen nga 2 në 10 vite; të miratohet ligji i vërtetë i sponsorizimeve, në vend të mashtrimit të qeverisë, që sot propagandohet si ligj sponsorizimi për Sportin.

Nga ana tjetër, kryetari i Sindikatës së Futbollistëve Profesionistë, Andi Lila, përmes një letre i ka kërkuar kreut të FSHF-së, Armando Duka që të ulet në bisedime në lidhje me kontratën kolektive. Sipas Lilës ai e ka kërkuar disa herë këtë por Duka ka refuzuar. Ish-futbollisti i Kombëtares përfiton nga rasti për të hequr edhe një paralele, edhe pse paradoksale.

SHKARKO APP