Liga e Futbollit nuk tërhiqet, Libohova: Qeveria me qasje kontroverse
Nuk ka nisje të kampionatit të futbollit, të paktën deri në një përgjigje nga ana e qeverisë. Ky ka qenë vendimi i marrë të hënën nga Liga Profesioniste e Futbollit (LPF), e cila zhvilloi një takim me Presidentin e Federatës Shqiptare të Futbollit, Armand Duka. Presidenti i Ligës, Edvin Libohova në një prononcim për mediat thotë se qeveria po mban qëndrim kontradiktor dhe pa plotësimin e katër kërkesave financiare nuk ka futboll. ”Liga vendosi që bojkoti të vazhdojë deri sa qeveria të plotësojë kërkesat tona”,-tha ai.
Në të gjithë këtë situatë gri, pak shpresë se gjendja mund të ndryshojë ka, pasi këtë të martë Liga Profesioniste do të zhvillojë takimin e dytë me përfaqësuesit e Ministrisë së Financave, të cilët do të bëjnë propozimet e tyre për katër pikat. “Nesër kemi takim dhe presim të kemi një propozim për të zgjidhur këtë çështje. 10 klube duan që të mos fillojë dhe asnjë nuk do të fillojë pa u plotësuar kërkesat”,-deklaroi ai.
Presidenti i FSHF-së Armando Duka, i cili ishte në Universitetin e Sporteve ku së bashku me rektorin Agron Kasa, diskutuan për disa bashkpunime, tha se futbolli këtë sezon do të luhet por qeveria sipas tij në asnjë rast nuk e ka patur prioritet sportin. ”Patjetër që do të luhet. Politika në Shqipëri nuk ka pasur prioritet asnjë lloj sporti, nuk ka pasur strategji, nuk ka politika të mirëfillta, vetëm ka shfrytëzuar ndonjë rezultat të arritur”,-tha Duka.
Tashmë topi është në anën e qeverisë dhe gjithçka varet nga qëndrimi që do të mbajë ajo, e cila me përfaqësues të Ministrisë së Financave do të japë përgjigje zyrtare rreth qëndrimit që kanë klubet. Në fundjavë premisat dukeshin pozitive që palët të vendosnin për të hequr dorë nga bojkoti i kampionatit. Futbolli është ndalur në Shqipëri për shkak të katër kërkesave që i kanë paraqitur klubet qeverisë: ligji i sponsorizimeve, faljen e gjobave dhe kamatvonesave për detyrimet tatimore, heqjen e tatimit mbi fitim për të ardhurat personale të sportistëve për 10 vite dhe uljen e tatimit mbi vlerën e shtuar në 6%. Dy pikat e fundit nga qeveria, janë cilësuar të ekzagjeruara dhe të pamundura për t’u vendosur.
Klodian Muço, ekspert i ekonomisë thotë se ligji i sponsorizimit ka efekt negative në buxhetin e shtetit sepse do të thotë devijim i fondeve nga arka e shtetit drejt sportit. Sipas tij ky ligj mund të mbetet i panegociueshem ndërkohë që kërkesat e tjera mund të plotësohen pjesërisht. Për situatën në të cilën gjendet sot futbolli shqiptar, ish-kapiteni i kombëtares, Rudi Vata akuzon qeverinë se nuk ka investuar si duhet në sport.
”Kërkesat janë të sakta dhe klubet kanë shumë të drejtë që i kërkojnë sepse këto klube kanë probleme shumë të mëdha finaciare. Dihet që futbolli shqiptar nuk është një makineri parash, por një futboll i varfër që mund të themi mirë që ka mbijetuar me ato kushte, të ardhura, marketing dhe rezultate që kanë pasur ekipet shqiptare në përgjithësi. Di që çdo klub është pjesë e fedratës. FSHF është shteti për klubet në Shqipëri. FSHF ka një komitet që votohen nga klubet, ka një president që të merret me problemet e futbollit shqiptar. Në këtë moment besoj së kërkesat e tyre janë te gabuara sepse klubet nuk duhet t’i drejtohen shtetit me i sjell problemet e tyre. Klubet duhet t’i kërkojnë FSHF-së që kërkesat e tyre t’ia parashtojnë shtetit dhe luftën me shtetin duhet t’a bëje FSHF”,-ka thënë më herët Vata për ”Scan TV”.