Liga e Kampionëve, Barca kërkon kualifikimin
Liga e Kampionëve do të zhvilloj nesër takimet përmbyllëse të raundit të 5-të. Barcelona do të synoj kualifikimin ndaj Selltikut dhe po të njëjtën gjë do të kërkoj Mançester City përballë Gladbahut. Në Londër do të luhet dueli mes Arsenalit dhe PSG, teksa mjaft i ekuilibruar duket grupi B ku bën pjesë Napoli i Elseid Hysajt.
Barcelona ende nuk e ka siguruar matematikisht kalimin në fazën tjetër të Ligës së Kampionëve, për ta bërë këtë katalanasve u duhet një pikë në transfertën e Skocisë përballë Celticut, megjithëse duket e vështirë që “azul-granët” të zbresin në fushë me në mëndje barazimin.
Lionel Messi dhe Luis Suarez pasi munguan në sfidën e fundit ndaj Malagës në kampionat ku Barça u frenua në barazim, do të jenë në dispozicion të trajnerit për këtë takim dhe pritet të zbresin rregullisht në tapetin e blertë. Ndërkohë të dëmtuar vijojnë të jenë Umtiti, Mathie dhe Andres Iniesta.
Trajneri Luis Enrique me shumë gjasa do të rreshtojë në mesfushë Rakitic, Busquets e Gomes, kurse në fazën ofensive do të rikthehet treshja e mrekullive Neymar, Suarez, Messi.
Po ashtu si Barcelona edhe Manchester City do të synoj kalimin në raundin tjetër. “Sky Blues” do të përballen me Borusian e Monchengladbachut në transfertë.
E vetmja mungesa për Guardiolën ka gjasa të jetë ajo e Vincent Kompany. Fernandinho do të luaj rolin e digës teksa mesfusha do të formohet nga Sterling, Gundogan, Silva dhe De Bruyne, kurse i vetëm në sulm do të jetë Sergio Aguero.
Në grupin A, Arsenali dhe PSG kanë siguruar kualifikimin, por do të duhet të vendosin se kush do të marrë vendin e parë dhe sfida e “Emirates” pikërisht mes londinezëve dhe parizienëve do të përcaktoj shumë në këtë drejtim.
Tek “topçinjtë” vijojnë të jenë të padisponueshëm Bellerin, Akpom, Wellbeck, Mertesacker, Perez dhe Debuchy, ndërsa në dyshim janë Walcot e Ramsey.
Në mesfushë do të ketë një vend për Granit Xhakën, teksa Sanchez, Ozil e Chamberlain mund të vendosen pas krahëve të Giroud. Në kampin tjetër dilemat e trajnerit Emery kanë të bëjnë me gjëndjen e Di Marias, Kursawas e Pastores, teksa nuk do të zbresë në fushë Rabiot, kurse Aurier nuk është lejuar të hyjë në Angli për shkak të dënimit të marrë nga gjykata e Parisit për çështjen e përplasjes fizike me policinë në dalje të një klubi nate disa muaj më parë.
Gjasat janë që nën skemën 4-3-3 në mesfushën e francezëve të vendosen Verratti, Motta e Matuidi, ndërkohë sulmi do të formohet nga Jese Rodriguez, Cavani dhe Lucas Moura. Sfida tjetër do të jetë mes Ludogoretz e Baselit.
Lojërat janë krejtësisht të hapura në grupin B, ku Napoli, Benfica e Besiktasi janë në luftë për dy vendet e para. Skuadra italiane do të presë në “San Paolo” Dynamon e Kievit.
Elseid Hysaj do të jetë në formacionin titullar në të djathtë të mbrojtjes, kurse faza ofensive do të formohet nga Insigne, Mertens e Callejon.
Mjaft i fortë pritet të jetë dueli i drejtpërdrejtë mes Besiktasit e Benficës në “Vodafone Arena” të Stambollit.
Ateltico e Madridit dhe Bajerni i Mynihut tashmë janë të kualifikuar, dhe në këtë grup mbetet të përcaktohet vendi i pare dhe skuadra që do të shkojë në Europa League. Madrilenët do të sfidojnë PSV Eindhovenin, kurse bavarezët do të luajnë në transfertë ndaj Rostov.
KOHA JONË SONDAZH

