Liga e Kombeve, UEFA zbulon rivalët e Shqipërisë dhe Kosovës

UEFA zbulon rivalët e mundshëm të Shqipërisë dhe Kosovës, në formatin më të ri në futbollin ndërkombëtar, Liga e Kombeve. Evenimenti që do të nisë në Shtator të vitit 2018 parashikon që 55 vendet anëtare të Konfederatës Europiane të ndahen në katër liga: A, B, C dhe D.

Ndarja do të realizohet në bazë të renditjes që skuadrat do të kenë deri më 15 Nëntor 2017, periudha kur përfundojnë edhe kualifikueset e Botërorit 2018. Ndërkohë, UEFA publikoi atë që është ndarja e skuadrave në liga, në bazë të pozicionit aktual. Momentalisht Shqipëria e sheh veten në Ligën C në një turne që për nga emri i kundërshtarëve paraqitet si mjaft i vështirë. Aty ndodhen Irlanda e Veriut, Rumania, Republika Çeke, Turqia, Danimarka, Mali i Zi, Bullgaria, Skocia, Norvegjia, Lituania, Azerbajxhani, Qipro, Finlanda, por edhe Serbia, kundërshtar me të cilin gjithsesi do të evitohen përballjet, pas vendimit të UEFA-s pas skandalit të Beogradit në Tetor të 2014-ës. Në Ligën C, skuadrat do të ndahen në tre grupe me nga 4 ekipe dhe një grup me 3.

Në bazë të koeficientit të ulët, Kosova e sheh veten në Ligën D, aty ku në total luajnë 16 përfaqësuese, të cilat do të ndahen në 4 grupe me nga katër skuadra. Në Ligën A ku kryesojnë Gjermania, Franca, Belgjika dhe Portugalia, por edhe në Ligën B, ku koeficientin më të madh e kanë Holanda e Rusia, pozicionohen skuadrat më të mira kontinentale, që mbajnë edhe pozicionet e larta në renditjen e UEFA-s. Rregulli i përcaktuar është që përveç turneut A, fitueset e grupeve në ligat e tjera do të ngjiten me një shkallë, ndërsa katër skuadrat e vendeve të fundit do të zbresin një Ligë më poshtë.

Swiss Digital Desktop Reklama

 

Swiss Digital Mobile Reklama

Katër fitueset e secili turne, që do të zhvillohet me sistemin e ndeshjeve vajtje-ardhje do të kualifikohen në “Final Four”, ndërsa ekipi fitues do të shpallet kampion. Liga e Kombeve është e rëndësishme edhe për Kampionatin Europian, sepse në bazë të rezultateve do të përcaktohen edhe katër skuadra që do të kualifikohen në finalet e këtij turneu. Liga e Kombeve është projekti më ambiciozë të UEFA-s dhe që shihet si një revolucion në projektin e përfaqësueseve europiane. Synimi është që të rriten reputacioni dhe interesi për ndeshjet ndërkombëtare, duke zëvendësuar miqësoret tradicionale me një turne të mirëfilltë. Emocionet e formatit të ri që garanton qindra ndeshje më tepër, ekipe më të forta dhe sigurisht më shumë futboll spektakolar, do të transmetohen për shqiptarët kudo që ndodhen, ekskluzivisht vetëm në ekranin e Supersport, në Arenën e Kampionëve.

 

Liga e Kombeve

Liga A

Gjermania, Franca, Belgjika, Portugalia, Zvicra, Spanja, Anglia, Italia, Kroacia, Polonia, Republika e Irlandës, Ukraina.

 

Liga B

Holanda, Rusia, Islanda, Hungaria, Uellsi, Bosnje-Hercegovina, Suedia, Greqia, Sllovakia, Austria, Izraeli, Sllovenia

Liga C

Irlanda e Veriut, Rumania, Republika Çeke, Turqia, SHQIPËRIA, Danimarka, Mali i Zi, Serbia, Bullgaria, Skocia, Norvegjia, Lituania, Azerbajxhani, Qipro, Finlanda

(Ndarje në tre grupe me 4 skuadra dhe një grup me 3 skuadra)

Liga D

Estonia, Bjellorusia, Gjeorgjia, Armenia, Letonia, Ishujt Faroe, Kazakistani, Moldavia, Luksemburgu, FYR Maqedoni, Kosova, Lihtenshtejni, Malta, Andorra, San Marino, Gjibraltar

 

(Ndarje në katër grupe me 4 skuadra)

SHKARKO APP

KOHA JONË SONDAZH

A veproi mirë Rama me ndryshimet në qeveri?