Lionel Messi ka nisur të mësojë frëngjisht, drejt kalimit te PSG në verë
Lionel Messi me shumë mundësi në verë do të largohet nga Barcelona. Pas tensioneve të verës së kaluar, faktit që nuk e lejuan të largohej dhe e bllokuan me opsionin e një tjetër sezoni në kontratë, ylli argjentinas do të jetë i lirë.
Numri 10 ende nuk është shprehur rreth së ardhmes, por të gjitha spekulimet tregojnë se e ardhmja do të jetë në Paris. Drejtori i përgjithshëm i Paris Saint Germain, Leonardo, ka deklaruar se po i ndjek me vëmendje zhvillimet rreth sulmuesit. Për më tepër, kriza financiare që po përjeton Barcelona, e bëjnë të pamundur rinovimin e kontratës me përmirësim të kushteve financiare.
Në situatën e krijuar, shanset e transferimit të Messi-t në kryeqytetin francez shtohen nga spekulimet se Leo dhe familja e tij po mësojnë frëngjisht. Lajmi është bërë i ditur nga televizioni “Canal +” dhe çdo gjë duket serioze.
Gjashtë herë fituesi i Topit të Artë do të ishte goditja e madhe e Paris Saint Germain, me blerjen që favorizohet nga borxhet e mëdha të Barcelonës, që arrijnë kuotën e 1,2 miliardë eurove.