Liverpooli fiton në “frymën e fundit” ndaj Burnley-t të Brojës
Premier League vazhdon të tregojë se shifrat e mëdha në merkato nuk garantojnë gjithmonë rezultate të lehta në fushë. Liverpool-i i Arne Slot, megjithëse ka shpenzuar shumë këtë verë, vuajti jo pak për të marrë tre pikët në transfertën ndaj Burnley-t, duke fituar vetëm falë një penalltie në minutat shtesë.
Burnley, i drejtuar nga Scott Parker, u mbrojt me forca të shumta gjatë gjithë ndeshjes dhe kufizoi hapësirat për “The Reds”. Në minutat e fundit vendasit mbetën me dhjetë lojtarë pas kartonit të dytë të verdhë për Lesley Ugochukwu. Armando Broja u aktivizua në minutën e 88-të, duke regjistruar debutimin e tij me skuadrën e re.
Kur dukej se sfida do të mbyllej 0-0, një prekje me dorë nga Hannibal Mejbri pas goditjes së Frimpong solli penalltinë vendimtare. Mohamed Salah u tregua i saktë nga pika e bardhë, duke i dhënë fitoren minimaliste Liverpool-it.
Me këtë sukses 0-1, Liverpool kryeson i vetëm Premier League me 12 pikë pas katër javësh, ndërsa Burnley mbetet pa fitore dhe me pak arsye për të buzëqeshur, pavarësisht debutimit të Brojës.
KOHA JONË SONDAZH

