Liverpooli gjen zëvendësuesin e Salah, synimi mbetet ylli i Sociedadit

Liverpool mund të hidhet në sulm për Takefusa Kubo, yll i Real Sociedad, këtë verë. Klubi spanjoll mund të jetë i detyruar të shesë disa prej lojtarëve më të mirë, duke përfshirë Kubo dhe Martin Zubimendi, në rast se klubi nuk kualifikohet në kompeticionet europiane.
Klubi bask mban vendin e dhjetë aktualisht në La Liga dhe ka pak mundësi të arrijë vendin e shtatë, i domosdoshëm për të siguruar Conference League. Pas eliminimit nga Kupa e Mbretit kundër Real Madrid, skuadra ndodhet në një moment vendimtar të sezonit.
Kubo ka një klauzolë 60 milionë euro për të prishur para kohe kontratën me Real Sociedad. Gjithashtu, Liverpool është në kontakt me përfaqësuesit e lojtarit prej më shumë se një vit, gjë që mund ta lehtësojë operacionin. Fati i Kubo-s do të varet nga fundi i sezonit të Sociedad-it dhe nga vendimet që Liverpool-i do të marrë në lidhje me Salah.