Liverpooli piketon legjendën e njohur si pasues të Jurgen Klopp
Liverpool pësoi 4 humbje radhazi në Premier League dhe tashmë ka përfunduar në vendin e gjashtë. Në këtë mënyrë mund të përfundojnë dhe jashtë zonës Champions.
Në Angli zëra të shumtë kanë nisur të spekulojnë se Jurgen Klopp mund të largohet nga drejtimi i Liverpool në fund të sezonit. Pas plot 6 vitesh në krye të “The Reds”, trajneri gjerman duket se është në kërkim të një sfide të re dhe mund të marrë drejtimin e Kombëtares së Gjermanisë.
Mediat kanë nisur të spekulojnë edhe për pasuesin e mundshëm në stol të Jurgen Klopp dhe janë të sigurt që Liverpool do të marrë si trajner Steven Gerrard. Ish-kapiteni dhe ikona e “The Reds” po bën një punë fantastike si trajner i Rangers dhe duket se është alternativa ideale për të pasuar Klopp.
Gerrard e ka kthyer Rangersin në majë të Skocisë, teksa këtë sezon pritet të shpallet kampion, por edhe në Europa League po bën mjaft mirë, ku është kualifikuar për në fazën e 1/8-ve. Në rast se në fund të sezonit Gerrard rikthehet në “Anfield” do të ishte vërtet diçka speciale. I vetmi rast që Klopp të qëndronte te Liverpool do të ishte fitimi i këtij sezoni i Champions League.