Liverpooli shpenzoi mbi 500 milionë euro, por Slot habit: Organika s’është e madhe!
Nuk pati histori në “Vélodrome”. Liverpooli zhvilloi një paraqitje dominuese dhe mundi Olympique Marseille me rezultatin e pastër 3-0, në ndeshjen e javës së shtatë të Champions League, duke shuar shpejt entuziazmin e tifozëve vendas për një mbrëmje europiane të paharrueshme.
“The Reds” u shfaqën superiorë në çdo aspekt: fizikisht më të fortë, teknikisht më të qartë dhe taktikisht më të organizuar, duke e kontrolluar takimin pa vështirësi.
Pas ndeshjes, trajneri Arne Slot u shpreh i kënaqur me reagimin e skuadrës, që u rikthye te fitorja pas katër barazimeve radhazi në të gjitha kompeticionet.
”Në 13 ndeshjet e fundit, nuk kemi qenë kurrë në disavantazh për më shumë se 54 minuta. Sot mund ta kishim mbyllur ndeshjen edhe më herët, por në përgjithësi, e meritonim plotësisht rezultatin”, theksoi Slot.
Në fund, trajneri pranoi se objektivi kryesor është shmangia e “play-off”-ve, duke përmendur edhe kufizimet e organikës, deklaratë që ka ngjallur debat për shkak të investimeve të mëdha të klubit në merkato.
“Shpesh luajmë me të njëjtët lojtarë dhe skuadra jonë nuk është aq e madhe sa ajo e klubeve të tjera. Ndoshta kjo shpjegon disi mungesën tonë të energjisë”, deklaroi Slot.
KOHA JONË SONDAZH

