Luftëtari i “çmendur” thyen Vllazninë 3-2
Në një sezon ku golat janë me pikatore dhe skuadrat e Kategorisë Superiore arrijnë ta gjejnë me vështirësi rrugën e rrjetës, Vllaznia dhe Luftëtari i japin një tjetër imazh futbollit shqiptar. Gola, lojë spektakolare dhe emocione dhuroi 90 minutëshi i “Loro Boriçit”, një kartolinë që dhurojnë dy prej skuadrave më produktive të Kategorisë Superiore. 3-2 fitoi Luftëtari i MIlinkovic në tempullin e futbollit shqiptar, me një ndeshje leksion futbolli për kryesuesit e këtij sezoni sepse bluzinjtë po konfirmohen skuadra më e bukur e sezonit aktual. 3 gola të shënuar ndaj një prej skuadrave më të ekuilibruara të superiores por edhe raste të panumërta nga të dyja krahët për dy skuadra që këtë fillim sezoni kuotoheshin në listën e ekipeve në rrezik mbijetese. Asnjë sekondë paqe dhe ritëm frenetik që në vërshëllimën e arbitrit me Luftëtarin që mori kontrollin e lojës dhe arriti të shënonte që në minutën e 6. Goditja e Liçaj me kokë rezultoi e pafat për shkodranët pasi Agovic e adresoi topin në këmbët e Cicmil që shënoi një autogol.
Goditje e rëndë për shkodranët që rrezikuan të pësonin edhe të dytin pak sekonda më pas por finalizimi i Reginaldos u bllokua nga mbrojtja. Vllaznia u zgjua në të 13-ën me një aksion në dukje pa pretendime por harkimi nga e djathta e sulmit e çoi topin në kokën e Shtubinës që nuk e fali portierin Ruci.
Vllaznia kërcënuese edhe 3 minuta më pas me Kalanë që nuk bëri zgjedhjen e duhur duke preferuar te finalizonte vetë, ndërsa Cicmil rrezikoi golin e avantazhit por nuk arriti të devijonte në portë. Luftëtari replikoi me Ramadanin por Agovic edhe pse disi i pasigurt, bllokoi në dy kohë. Bluzinjtë kaluan sërish në avantazh në minutën e 24. Reginaldo u zhbllokua mjaft mirë në zonën e rreptësisë për të shënuar golin e dytë të gjirokastritëve.
Ndeshje pa frena në “Loro Boriçi” ku në të 28-ën, Marku përfitoi nga asisti i Cicmil për të vendosur sërish baraspeshën.
Miqtë nuk u pajtuan me vendimin e anësorit për ta cilësuar brenda vijës fundore topin që u shndërrua në gol. Pamjet flasin vetë, e sigurt është që ky episod do të krijojë shumë polemika gjatë ditëve të ardhshme.
Minutat deri në fund të pjesës së parë Luftëtari rrezikoi të pësonte dy gola për shkak të pasigurive në prapavijë. Fillimisht ishte Pepa që nuk u tregua i saktë, ndërsa Shtubina edhe pse nga një pozicion i favorshëm, la për të dëshiruar në finalizim. Të vendosur për të synuar goditjen e madhe, gjirokastritët morën kontrollin e mesfushës edhe në fillim të pjesës së dytë por rastin e parë të vërtetë e krijuan shkodranët me Vrapin. Goditja e mbrojtësit me kokë u bllokua me vështirësi nga Ruci, por edhe ky moment ngjalli reagimin e shkodranëve që pretenduan se topi e kaloi vijën fatale.
Ndeshja u ndez në të 69-ën kur Mersini shërbeu një top për Abazajn nga krahu i djathtë por goditja e sulmuesit preku rrjetën e jashtme të portës së Agovic. Minuta të çmendura për miqtë që në të 70-ën ishin vetëm pak centimetra larg golit të tretë. Bregu me kokë, shtyllë e djathtë shtyllë e majtë dhe topi jashtë, Vllaznia e përkëdhekur nga fati, ndërsa gjirokastritët qajnë një tjetër rast të artë. Goli ishte në ajër dhe erdhi në minutën e 74 me një aksion dhe finalizim fotokopje e golit të dytë. Abazaj nga e djathta me një top të artë për Reginaldon që u zhbllokua sërish i vetëm në në zonë për të kapur sërish në befasi Agovic.
Goli i 5 sezonal për qendërsulmuesin nga Mozambiku, i cili po rezulton një nga emrat zbulim të këtij sezoni në Kategorinë Superiore. Avantazhi i tretë i gjirokastritëve u hoqi oksigjenin shkodranëve që nuk arritën të çanin mbrojtjen mike deri në fundin e takimit. Duartrokitje të merituara nga publiku shkodran për Luftëtarin që ngjitet në kuotën e 18 pikëve, 1 më pak se Vllaznia që hedh një hap fals pas 4 ndeshjeve pa humbje për më tepër pa asnjë disfatë sezonale në “Loro Boriçi”.
KOHA JONË SONDAZH

