Magani: Në derbi dua “ushtarë” si të Shalkes, jo “gjeneralë” si të Realit!
Trajneri i Tiranës Gugash Magani thotë se ndeshjet derbi mbeten derbi dhe kjo sfidë nuk njeh statistika, edhe pse bardheblutë nuk e njohin humbjen si skuadër pritëse gjatë këtij sezoni. Trajneri i Tiranës e sheh këtë 90 minutësh për të kthyer faqen e historisë së skuadrës së tij, pretendente për trofeun e munguar prej 6 sezonesh. Në rast fitoreje Tirana do të ngjitet në vend të dytë, një pikë larg kryesuesve të Skënderbeut, por nëse e humb derbin, mund të zbehë përnjëherë shanset për të fituar trofeun. Shija e hidhur që ka lënë derbi i fundit në kampin bardheblu vazhdon të ndihet , prandaj edhe rruga e vetme për ta hedhur pas krahëve atë disfatë është fitorja në super-sfidën e së premtes. Tiranës i rikthehen tifozët në stadium dhe për trajnerin peqinas ky është një faktor plus. – “Ndeshjet derbi nuk janë si përballjet e tjera. Shanset mbeten 50 me 50 dhe kjo është një ndeshje që i ka të tre rezultatet brenda. E rëndësishme është të jesh i përgatitur dhe të jesh i qetë për çdo episod loje.” – shprehet Magani. Data e zhvillimit të ndeshjes ka ndryshuar dy herë, por trajneri Gugash Magani e pranon se ky fakt e ka detyruar të mendojë nga e para çdo plan për të ndërtuar një të ri pasi është e vështirë të mbash skuadrën të fokusuar përpara një sfide të tillë. – “Çdo trajner bën planet e veta stërvitore për ndeshjen që ka dhe kur ndeshja shtyhet duhet të ndryshosh diçka nga programi. Megjithatë dua të them se karikimi dhe mbajtja e skuadrës në fokus duhet të jetë primare për çdo lojtar, ashtu sikurse edhe për ne trajnerët.” Sakaq, trajneri 49-vjeçar nuk pranon ta cilësojë këtë sfidë si vendimtare për fatet e titullit kampion, sepse sipas tij, në lojë janë mbeten edhe shumë ndeshje të tjera. Tirana, edhe pse nga trajneri nuk deklarohet publikisht, nuk do të kënaqej me një barazim, madje doli kundër zërave se në kampin e tij ka një ndjenjë vetëkënaqësie. – “Nuk mund të bëj parashikuesin sepse çdo gjë mund të ndodhë. Është një ndeshje e hapur dhe ajo që nuk më lejohet në këto momente është euforia. Nuk më pëlqen që flitet se do të ketë tolerim sepse janë shashka që duan të na vënë në gjumë.”Gjykimi i takimit është një tjetër pikë ku ndalet trajneri i Tiranës, i cili pranon se gjyqtarët nuk kanë qenë korrekt me bardheblutë në dy sfidat e para. – “Pavarësisht se kam shprehur keqardhjen nuk kam thënë se gjykimi ka vendosur rezultatin, sepse në ndeshjen e dytë kishim edhe 80 minuta lojë. Unë them që duhet të jetë një gjyqtar i FIFA-s që duhet të durojë presionin sepse në ndeshjen e parë gjyqtari nuk e përligji besimin.” Në fund, Magani paralajmëron skuadrën e tij se gjendja aktuale e Partizanit nuk duhet t’i gënjejë bardheblutë, madje ai zgjedh të sjellë në vëmendje një super-sfidë europiane si shembull. – “Para dy ditësh pamë ndeshjen Real Madrid-Schalke, ku gjermanët ishin si ushtarë në fushë, ndërsa lojtarët e Realit dukeshin si gjeneralë. Prandaj nuk mund të bëj krahasime. Normalisht edhe unë kam pasur kritika por në krahasim me Ancelottin nuk jam aq i butë dhe kjo mund të jetë një pikë e dobët e imja.”
Para derbit Magani shpjegohet pse i doli në mbrojtje trajnerit Duro
Gugash Magani do të përballet të premten mbrëma me trajnerin Shpëtim Duro në një sfidë direkte mbi pretendimet që kanë këtë sezon, për titullin kampion. Edhe pse pas fitores me Kukësin ai ndihet më i qetë, ndryshe nga kolegu i tij që humbi në Shkodër me Vllazninë, i pyetur se përse i doli në mbrojtje trajnerit Shpëtim Duro pas ndeshjes Laçi-Partizani, Magani zgjodhi të përgjigjej prerë. –“Unë nuk merrem me analizat e ndeshjeve edhe pse jam pjesë e lojës, por dua të them vetëm kaq dhe jam i sigurtë që trajneri nuk e la ndeshjen, pra trajneri nuk bën tolerime, nuk ka mundësi të bëjë tolerime.”
KOHA JONË SONDAZH

