Malësia e Madhe nderon me “Qytetarë Nderi” bijtë e saj, Mario Mitaj, Armando Broja dhe Jurgen Uldedaj
Nga Albert Vataj
Bashkia Malësi e Madhe ka organizuar një ceremoni solemne dhe tejet domethënëse, duke nderuar me titullin “Qytetar Nderi” tre prej figurave më të spikatura të sportit shqiptar: Mario Mitaj, Armando Broja dhe Jurgen Uldedaj. Ky vlerësim nuk ishte thjesht një akt ceremonial, por një dëshmi e krenarisë që kjo trevë ndien për bijtë e saj që kanë arritur majat e sportit ndërkombëtar.
Aktiviteti u shoqërua me një interes të jashtëzakonshëm nga publiku, duke mbledhur qytetarë, përfaqësues të institucioneve dhe deputetë të qarkut Shkodër, të cilët u bënë pjesë e këtij momenti vlerësimi dhe reflektimi mbi suksesin dhe përkushtimin. Titujt u dorëzuan nga kryetari i bashkisë, Tonin Marinaj, në një atmosferë të ngrohtë dhe festive, ku emocionet dhe krenaria kolektive ishin të prekshme.
Në këtë ceremoni ishte i pranishëm personalisht vetëm Mario Mitaj, i shoqëruar nga familja e tij, ndërsa Armando Broja, për shkak të angazhimeve në kampionatin anglez, u përfaqësua nga i ati. Po ashtu, Jurgen Uldedaj, i cili ndodhet në Gjermani në përgatitje për një tjetër përballje të rëndësishme, u përfaqësua nga babai i tij, Tonini, një dëshmi se rrënjët familjare mbeten themeli i çdo suksesi të madh.
Ceremonia u përshëndet nga figura të njohura të jetës publike, mes tyre ish-deputeti Paulin Sterkaj dhe deputetët Marjana Koçeku dhe Bujar Rexha, të cilët vlerësuan jo vetëm arritjet individuale të sportistëve, por edhe potencialin e jashtëzakonshëm që Malësia e Madhe vijon të japë në arenën sportive.
Moderimi i këtij eventi iu besua një prej emrave të spikatur të gazetarisë shqiptare, Defrim Methasani, i cili kishte ardhur enkas nga Tirana për të qenë pjesë e kësaj dite të veçantë, duke i dhënë aktivitetit një dimension profesional dhe dinjitoz.
Me një vendim unanim të Këshillit Bashkiak, Bashkia Malësi e Madhe, nën drejtimin e Tonin Marinajt, konfirmoi përmes këtij akti vlerësimi se suksesi i këtyre sportistëve është një pasuri e përbashkët, një burim frymëzimi për brezat e rinj dhe një dëshmi e gjallë se talenti, kur ushqehet me përkushtim dhe disiplinë, arrin të tejkalojë çdo kufi.
Ky vlerësim shkon përtej individit, ai është një homazh për familjen, për rrënjët dhe për një traditë që vijon të prodhojë kampionë. Njëkohësisht, ai përforcon një narrativë të rëndësishme: se këta djem nuk i bëjnë nder vetëm vendlindjes së tyre, por mbarë shqiptarisë, duke e ngritur flamurin kuqezi në skenat më të mëdha të botës.
KOHA JONË SONDAZH

