Manaj “kërcënon” rekordin e Bogdanit, vetëm 6 gola larg
Rey Manaj po avancon hap pas hapi drejt majës së listës së golashënuesve më të mirë në historinë e Kombëtares shqiptare. Sulmuesi kuqezi ishte protagonist në suksesin 3-0 ndaj San Marinos, duke realizuar golin e 12-të me fanellën e Shqipërisë.
Me këtë realizim, Manaj barazoi Armando Sadikun në kuotën e 12 golave dhe tashmë ka nisur të lërë pas disa prej emrave të rëndësishëm të historisë së Kombëtares.
Në listën historike, përpara 29-vjeçarit qëndrojnë Sokol Cikalleshi dhe Ervin Skela, të dy me nga 13 gola, ndërsa Alban Bushi numëron 14. Hapi i radhës për Manajn është afrimi me kuotën e Erjon Bogdanit, i cili kryeson me 18 gola.
Pra, sulmuesit i duhen edhe gjashtë gola për të barazuar rekordin e Bogdanit dhe shtatë për ta kaluar atë dhe për t’u ngjitur në krye të listës.
Rruga është ende e gjatë, por shifrat tregojnë se Manaj tashmë është pjesë e garës për një prej rekordeve individuale më të rëndësishme të Kombëtares shqiptare.

