Manchester City në avantazh për Donnarumma-n, ka akord me portierin
E ardhmja e Gianluigi Donnarumma-s është në qendër të merkatos së gushtit. Pas përjashtimit nga lista e Luis Enrique-s për finalen e Superkupës Evropiane kundër Tottenham-it dhe ardhjes së Lucas Chevalier si portier i parë i Paris Saint-Germain-it, italiani ka dy javë kohë për të gjetur një skuadër të nivelit të lartë ku të luajë rregullisht në prag të Botërorit 2026 në Amerikën e Veriut.
Pista më e nxehtë çon drejt Anglisë, më saktë në Manchester. Sipas burimeve pranë klubit, portieri italian pëlqehet si nga City, ashtu edhe nga United. Aktualisht, në avantazh është skuadra e Pep Guardiolës, e cila raportohet se ka arritur një marrëveshje kontraktuale me lojtarin dhe përfaqësuesit e tij.
Megjithatë, përpara se të mbyllet marrëveshja, duhet arritur akordi me PSG-në për kartonin e lojtarit, si dhe finalizuar shitja e Ederson-it te Galatasaray, e cila do të hapte vendin e titullarit mes shtyllave të “qytetarëve”. Manchester United është disi më pas, pasi nuk ka arritur të bindë portierin aktual André Onana të largohet për t’i bërë vend kapitenit të Italisë.
Sa i përket kostos, “L’Equipe” raporton se PSG kërkon një shumë të ngjashme me atë të shpenzuar për Chevalier-in: 40 milionë euro fikse plus 15 milionë në formë bonusesh. Nga ana e tyre, drejtuesit e City-t synojnë të negociojnë një çmim më të ulët, duke shfrytëzuar situatën e tensionuar mes Donnarumma-s dhe klubit parisien. /Koha Jonë/
KOHA JONË SONDAZH

