Mancini: Duam të fitojmë, objektivi është të sjellim diçka të madhe në shtëpi!
Roberto Mancini është rikthyer në stolin e kombëtares së Italisë pas një mungese trevjeçare, duke e nisur kapitullin e ri me objektiva të qarta dhe me një mesazh optimizmi. Trajneri italian theksoi se synimi i tij është të ndërtojë një skuadër që luan mirë, dominon ndeshjet dhe jep maksimumin në fushë.
“Synoj të ndërtoj një skuadër që luan mirë, dominon dhe jep gjithçka. Duam të fitojmë dhe jemi optimistë. Këtu nuk ka aspak negativitet”, u shpreh Mancini.
Tekniku italian nënvizoi gjithashtu praninë e shumë lojtarëve të rinj në grup, duke kërkuar prej tyre energji dhe entuziazëm.
“Grupi përfshin shumë lojtarë të rinj që janë këtu për herë të parë dhe duan të japin më të mirën për kombëtaren. Pres që ata të sjellin një frymë gëzimi dhe lehtësie”, deklaroi ai.
Mancini kërkoi që skuadra të mos ndalet te vështirësitë e së kaluarës, por të fokusohet te objektivat e ardhshme.
“Nuk duhet të përqendrohemi te gjërat negative. Kur nis një aventurë të re, dëshiron të arrish diçka të madhe dhe, gjatë katër viteve të ardhshme, ne do të sjellim diçka të madhe në shtëpi”, tha trajneri i ‘Azzurrëve’.
Për Mancinin, rikthimi në drejtimin e Italisë përfaqëson një sfidë të re në karrierë.
“Për mua, kjo është një sfidë dhe një kapitull i ri në karrierë. Jam këtu për të fituar dhe për t’u ngjitur sërish në renditje. Ky është objektivi që ndajmë të gjithë. Për të rifituar tifozët, duhet ta rikthejmë kombëtaren aty ku e ka vendin. Triumfi i vitit 2021 i përket së shkuarës. Ndoshta u kam një borxh tifozëve. Dua t’i rifitoj ata që u ndjenë të tradhtuar nga largimi im në vitin 2023”, përfundoi Mancini.

