Maran nis provat për formacionin ndaj Bjellorusisë, në dyshim dy futbollistë
Kombëtarja shqiptare vijon përgatitjet për ndeshjet e UEFA Nations League, teksa kuqezinjtë zhvilluan dje një tjetër seancë stërvitore në ambientet e “Shtëpisë së Futbollit”.
Skuadra e drejtuar nga trajneri Rolando Maran e nisi programin në palestër, përpara se të zhvendosej në fushën e blertë. Në fokus të seancës ishin përgatitjet taktike, provat e skemave të ndryshme të lojës, goditjet standarde dhe ushtrime të tjera të parashikuara nga stafi teknik.
Gjendja fizike e futbollistëve mbetet një nga çështjet që po ndiqet me vëmendje. Kristjan Asllani vijoi të stërvitej i diferencuar, duke ndjekur programin e përcaktuar në Klinikën e Kombëtares dhe në palestër. Ndërkohë, Klisman Cake vazhdon programin e rikuperimit nën mbikëqyrjen e stafit mjekësor të Kombëtares.
Kuqezinjtë do të zbresin sërish në fushë sot, këtë herë në stadiumin “Air Albania”, ku do të zhvillojnë seancën e fundit stërvitore përpara përballjes së parë ndaj Bjellorusisë. Stërvitja do të nisë në orën 16:00, ndërsa 15 minutat e para do të jenë të hapura për mediat.
Përpara seancës stërvitore, në orën 15:00, do të zhvillohet edhe konferenca zyrtare për shtyp. Përballë gazetarëve do të jenë trajneri Rolando Maran dhe kapiteni i Kombëtares, Berat Gjimshiti, të cilët do të flasin për përgatitjet dhe sfidën e radhës.
Me afrimin e ndeshjes ndaj Bjellorusisë, stafi kuqezi po punon për të përgatitur skuadrën në aspektin taktik dhe fizik, ndërsa vëmendja mbetet edhe te gjendja e lojtarëve të dëmtuar.

