Martini: Humbëm dy pikë të arta! Fajin ta shohim te vetja, jo tek arbitrat

Trajneri i Teutës, Edi Martini, u pa i zhgënjyer pas ndeshjes ndaj Luftëtarit, e cila u mbyll në barazim 1-1. Për Supersport, Martini pranoi se skuadra e tij, kishte lënë dy pikë të arta.

REZULTATI – “Duhet ta mbyllnim ndeshjen, kemi pasur disa raste për të shkuar 2-0. E dinim që ishte një ndeshje e vështirë, Luftëtari nuk e ka problem rezultatin, ndërsa ne ishim të ngarkuar. Kishim punuar shumë gjatë kësaj jave për ta fituar këtë ndeshje, e dinim që ishte e vështirë. Duhet ta mbyllnim më shpejt ndeshjen. Ekipi i Luftëtarit bëri një ndeshje të mirë edhe jam i zhgënjyer, sepse humbëm dy pikë të arta”.

MORALI – “Natyrisht, pasojat janë më mbrapa pas këtij rezultati. Shpresoj të mos i kemi, vinim pas një ndeshje me Tiranën që luajtëm mirë por humbëm, ndërsa sot duhet të fitonim. Gjithsesi, duhet të punojmë shumë”.

ARBITRIMI – “Është e vërtetë, ndeshja me Tiranën ka ndikuar. Pas asaj ndeshje të mirë me Tiranën, nuk duhet ta komentonim humbjen, nuk duhet të merreshim me arbitrimin. Ne duhet të shohim fajin te vetja, jo tek arbitrat”.

GOMES – “Natyrisht, ai ka shtatlartësi, por është shumë i mirë edhe me topin në këmbë. Ndoshta duhet ta shërbejmë më shumë në lartësi”.

GOLAT – “Nuk është vetëm faji i sulmit, i të gjithë ekipit. Luftëtari na vuri në vështirësi në mesin e fushës, duke fituar shumë duele. Prandaj nuk them që është faji i sulmit”, tha Martini.

SHKARKO APP