Martini: Ja çelësi i suksesit të Teutës, Granada-n nuk e donim!

Trajneri i Teutës, Edi Martini është shfaqur i lumtur për suksesin e dytë radhazi ndaj Tiranës dhe për fitoren e Superkupës së Shqipërisë për herë të parë në historinë e klubit, por jo për shortin e turit të dytë të Europa League.

“Jemi një, jemi bërë një familje jemi të gjithë bashkë, ky është çelësi i suksesit. Granada? Me thënë të drejtën, ishte e vetmja që s’doja të na binte. Çfarë të bëjmë, futbolli kështu e ka. Ka për të qenë një eksperiencë e mirë për ne. Ndeshjen në Durrës e kemi, fillon kampionati pastaj dhe duhet të fokusohemi aty. Ju e dini mundësitë reale tona.

Do të preferoja edhe pe Steauan edhe me Apollon Limasolin. Po të kishim luajtur në Durrës, do të kishim shanse për kualifikim. Një ndeshje teke është, do të bëjmë hyzmetin, megjithëse e dimë kë kemi përballë.

Merkato? Kemi nevojë për përforcime, them në mesfushë, sepse kemi vetëm Aleksin dhe Avdylin në qendër të mesfushës. Na duhen 2-3 përforcime. Duhet të merremi me pozicionin bosh që na ka lënë Kallakun, sepse fillon së shpejti kampionati”, deklaroi trajneri i Teutës Edi Martini.

SHKARKO APP