Martini: Pjesë e parë fantastike, duhet të shënonim më shumë!
Teuta mori fitoren e dytë radhazi në shtëpi, këtë herë me rezultatin 2-0 ndaj Skënderbeut, ndërsa trajneri Edi Martini vlerësoi paraqitjen lojtarëve të tij, veçanërisht në pjesën e parë.
“Ndaj Apolonisë javën e kaluar nuk luajtëm mirë, por sot në pjesën e parë ishim të shkëlqyer. Dominuam dhe gjetëm një gol, por mund të shënonim më shumë. Në pjesën e dytë Skënderbeu sulmoi më shumë dhe na vuri në vështirësi, por edhe ne kishim shanset tona që ta mbyllnim shumë më shpejt ndeshjen.
Erando dihet që ka cilësi për të shënuar gola të tillë, megjithatë do të doja që ai gol të vinte më parë, për të parë ndeshjen më me qetësi. Gjithsesi ishte një gol i shkëlqyer dhe e komplimentoj.
Kemi kaq javë që presim dhurata dhe nuk kemi marrë. Tani që po shohim punët tona, duket se po vjen diçka, ndaj më mirë të përqendrohemi te ndeshjet tona. Teuta e varur nga Bregu? Është e vërtetë që Bregu po bën shumë mirë, por në fund të fundit kjo është detyra jonë, që gjithsecili të bëjë mirë punën e tij. Sot ishte dita e Bregut, por në ndeshje të tjera do të jetë radha e Vilës apo Krasniqit që të na japin fitoren. Rëndësi ka që të marrim pikët”, deklaroi Martini.