Martini: Sfidë e vështirë me Kukësin, do luftojmë për vendin e dytë!
Teuta po kalon një moment fantastik në Kategorinë Superiore, teksa ka arritur 4 fitore radhazi në 4 ndeshjet e fundit. Nesër në mbrëmje kalendari i ka rezervuar një përballje të vështirë me Kukësin e vendit të dytë. Trajneri i Teutës Edi Martini doli sot në konferencën e zakonshme për shtyp, ku foli me superlativa për kundërshtarin.
“Gjendja është e mirë, përveç Kallakut që ka pasur disa probleme dhe nuk është stërvitur me grupin, pjesa tjetër është OK. Them që Kallaku do të jetë pjesë e ndeshjes pasi ka patur një dëmtim të lehtë dhe thuajse e ka kaluar. Dje u stërvit vetëm 20 minuta, por gjendja është e mirë. Shpresoj që të arrijmë edhe një rezultat pozitiv.
Sfida me Kukësin? Të gjitha takimet janë të vështira në këtë fazë të kampionatit. Ne kemi nxjerrë ndeshje të mira me ekipet kryesuese dhe kemi gabuar me Flamurtarin e Luftëtarin. Çdo ndeshje është e rëndësishme. Është takim shumë i vështirë sepse dhe atyre dhe ne na duhen pikët, ndaj do të jetë një ndeshje e bukur.
Vendi i dytë? Ne do t’ia bëjmë hyzmetin, por asgjë s’është e lehtë. Grupi është i reduktuar dhe ngarkesa është e lartë. Kemi 13-14 lojtarë gjithsej në dispozicion, por do të luftojmë. Deri në momentin që të arrijmë objektivin matematikisht do të qëndrojmë me këmbë në tokë”, deklaroi strategu shkodran.