Masa si në “luftë”, rreth 700 policë për derbin Tirana-Partizani
Java e 13 e kampionatit kombëtar të futbollit është e përqendruar në derbin e madh të kryeqytetit, i cili do të luhet të enjten mes Tiranës dhe Partizanit, dy skuadrave që numërojnë plot 80 trofe në futbollin shqiptar.
Si rrallëherë në vitet e fundit dy klubet e kryeqytetit janë të përfshira në garën për titullin, me bardhelutë që nuk fitojnë një derbi prej 10 takimesh, e të kuqtë që vazhdojnë të jenë të etiketuar prej disa sezonesh si pretendentja për të thyer mitin Skënderbe.
Policia e kryeqytetit bën apel për vetëpërmbajtje të tifozërive respektive. Rreth 700 forca policore do të jenë në gatishmëri, ndërsa nën vëzhgim do të jenë tifozët e “listave të zeza”.
“Tifozët do të jenë nën vëzhgim para, gjatë dhe pas zhvillimit të ndeshjes. Kemi të identifikuar tifozët problematikë. I kemi me video e foto dhe, nëse do të krijojnë probleme, nuk do të lejohen. Bëjmë thirrje për vetëpërmbajtje, pasi edhe ne jemi pjesë e derbit”, tha Dimitraq Ziu, zv.drejtor i Policisë së Tiranës.
Për të ulur tensionet e takimit që do të luhet pasditen e së enjtes në stadiumin “Selman Stërmasi”, uniformat blu pritën në takime të veçanta edhe grupimet e tifozerisë bardheblu dhe asaj të kuqe. Por garantimi i sigurisë për një ndeshje të tillë ka dhe një kosto financiare për policinë, e cila shkon më shumë se 800 mijë lekë.
“Ka një vështirësi reale, që ende nuk po gjen zgjidhje. Policia do të dalë nesër në shërbim në orën 15 dhe do ta mbyllë shërbimin deri në largimin e tifozit të fundit në banesë”, tha Dimitraq Ziu.
Në përballjen e 147 mes tyre skuadrat kryeqytetase rikthehen të drejtohen nga dy emra të traditës së klubeve përkatëse, Josa për Tiranën e Starova për Partizanin. Për shkak të kartonëve bardhlutë nuk kanë të gatshëm mesfushorin Daja, ndërsa rikthehet portieri Lika. Tek të kuqtë konfirmohet mungesa e Fejzullahut, ndërsa janë dyshim Batha e Vila. Për takimin që luhet në shtëpinë e bardhebluve, “Selman Stërmasi”,-mësohet se janë shitur të gjitha biletat.
KOHA JONË SONDAZH

