
Ylli i Real Madridit pranon se komentet e tij ishin të papërshtatshme, ndërsa polemikat në Kinë kanë sjellë anulimin e disa kontratave reklamuese. Edhe presidenti i La Ligës, Javier Tebas, ka reaguar publikisht.
Kylian Mbappé ka kërkuar falje publike pas reagimeve të forta në Kinë, të shkaktuara nga komentet e tij për ish-udhëheqësin kinez Mao Ce Dun. Sipas raportimeve, polemikat kanë çuar edhe në anulimin e disa marrëveshjeve reklamuese.
Sulmuesi i Real Madridit dhe kapiteni i Francës publikoi një deklaratë në frëngjisht, anglisht dhe gjuhën mandarine, ku shprehu keqardhjen për fjalët e tij.
“U kërkoj falje të gjithë atyre që janë ndier të fyer nga komentet e mia gjatë një interviste të fundit. Vërejtja ime ishte e papërshtatshme dhe e kuptoj se ka lënduar shumë njerëz në Kinë dhe në komunitetet kineze në mbarë botën. Ky nuk ishte aspak qëllimi im. Kam respekt të thellë për popullin kinez dhe historinë e tij dhe më vjen sinqerisht keq”, deklaroi Mbappé.
Reagimet nisën pas përhapjes së një videoje në internet, ku futbollisti e cilësonte Mao Ce Dunin si diktator.
Në këtë debat ka ndërhyrë edhe presidenti i La Ligës, Javier Tebas, i cili shprehu keqardhjen për deklaratat e futbollistit.
“Si La Liga, i dënojmë thellësisht deklaratat e Kylian Mbappé, të cilat kanë shkaktuar shqetësim dhe fyerje në Kinë. Në emër të La Ligës, dëshiroj t’i kërkoj falje sinqerisht popullit kinez”, shkroi Tebas në rrjetin social X.
Ai theksoi se futbolli spanjoll ka ndërtuar prej vitesh marrëdhënie bashkëpunimi dhe respekti me Kinën, institucionet e saj dhe miliona tifozë.
Tebas shtoi se La Liga po punon me partnerët kinezë për të kapërcyer situatën, duke nënvizuar se një incident individual nuk duhet të dëmtojë marrëdhëniet e ndërtuara ndër vite.

