Mbappe mbron Yamal: Është talent i madh, lëreni të qetë!
Aktualisht në grumbullim me kombëtaren e Francës në Clairefontaine, Kylian Mbappé ka dhënë një intervistë të gjatë për Movistar. Megjithatë, media spanjolle ka publikuar disa pjesë të intervistës, ku ylli francez flet me shumë respekt për Lamine Yamal, talentin e ri të Barcelonës.
“Dallohet që ka një pasion të madh për futbollin, dhe kjo është gjëja e vetme që nuk duhet ta humbasë. Gjithçka tjetër i përket jetës së tij private, për të cilën, fatkeqësisht, flitet shumë. Duhet ta lënë të qetë,” ka deklaruar Mbappé.
Kapiteni i Francës ka theksuar se Yamal duhet gjykuar për atë që bën në fushë dhe jo për jetën jashtë saj.
“Në futboll është një lojtar i madh, por në jetë është vetëm një djalosh 18-vjeçar. Në atë moshë të gjithë bëjnë gabime, marrin vendime të drejta e të gabuara … Me kohë do të mësojë, do të kuptojë çfarë është më mirë për të. E rëndësishme është ajo që tregon në fushë; pjesa tjetër nuk ka rëndësi, për sa kohë nuk është diçka serioze. Ka një talent të jashtëzakonshëm dhe i uroj fat në rrugëtimin e tij,” shtoi sulmuesi i Real Madridit.
Me këto fjalë, Mbappé ka treguar pjekuri dhe respekt për brezin e ri të futbollistëve, duke mbrojtur privatësinë dhe zhvillimin personal të Yamal, rivalit të tij në kampionatin spanjoll.
KOHA JONË SONDAZH

