Mbrëmje a çmendur e Spallettit mes ëndrrës, zhgënjimit dhe elozheve
Një natë që la shije të hidhur, por edhe krenari. Performanca e madhe e Juventusit në ndeshjen e kthimit të play-off-it të Champions League ndaj Galatasarayt nuk mjaftoi për të përmbysur humbjen 2-5 të takimit të parë, megjithatë bardhezinjtë dolën nga fusha me kokën lart. Në fund, ajo që mbeti ishte një përzierje emocionesh e fortë për trajnerin Luciano Spalletti, i cili zgjodhi të mos flasë para mediave.
Tekniku toskan mbeti “pa fjalë” në çdo kuptim: në mënyrë figurative, për shkak të krenarisë ndaj skuadrës që shkoi shumë pranë një rikthimi historik, pavarësisht disavantazhit të thellë dhe mbi të gjitha pas përjashtimit të diskutueshëm të Kelly; por edhe në kuptimin praktik, pasi në përfundim të sfidës nuk u paraqit para mikrofonëve për të komentuar eliminimin.
Ishte një mbrëmje që mund të kishte ndryshuar rrjedhën e një sezoni të vështirë në aspektin e rezultateve. Spalletti tregoi se mund të ndërtojë një Juventus konkurruese, pavarësisht mungesave të shumta dhe një merkatoje që, edhe këtë herë, nuk duket se i ka dhënë klubit atë që pritej. Ai i nxiti lojtarët, por nuk kurseu as kritikat kur ishte e nevojshme, si në rastin e reagimit të ashpër ndaj Adzic për gabimin që çoi te goli i Osimhen në kohën shtesë.
Megjithatë, në fund të ndeshjes, trajneri përgëzoi skuadrën për shpirtin e garës dhe besimin deri në sekondën e fundit. Para kamerave doli Giorgio Chiellini, i cili rikonfirmoi mbështetjen e plotë për teknikun, ndërsa Spalletti qëndronte ende në dhomat e zhveshjes, duke përballuar një shpërthim emocionesh mes zhgënjimit, lodhjes dhe zemërimit.
Tani koha për të reflektuar është e kufizuar. Të dielën në mbrëmje Juventusi përballet me Romën në një duel kyç për garën drejt zonës Champions. Objektivi i vendit të katërt mbetet prioritet dhe bardhezinjtë nuk mund të ndalen gjatë te ajo që mund të kishte qenë. Duhet të rimbushin energjitë, fizike dhe mendore, për të vijuar betejën në kampionat.
KOHA JONË SONDAZH

