Mbrojtja në emergjencë por solide, me Pirlon Juventusi është kthyer në “bunker”
Sulmi shet biletat, ndërkohë që mbrojtja diton ndeshjet. Është një shprehje që vlen për shumë sporte, teksa futbolli nuk bën përjashtim. Vështirë se mund të fitosh kaq kampionate radhazi, nëse nuk ke një prapavijë të mirë, veçanërisht në Itali. Juventusi në këtë rast spikat mbi të tjerët, teksa ka mbajtur portën e paprekur më pak në 8 nga 9 kampionatet e fituar. Vetëm në vitin 2012 dhe 2020 (kur ishte nën drejtimin e Sarrit), bardhezinjtë ishin mbrojtja e tretë më e mirë me 43 gola të pësuar, pas Interit me 36 dhe Lazio me 42 gola.
Pak gjuajtje – Me Pirlo në bankinë gjërat janë kthyer në “normale” për bardhezinjtë. Skuadra torineze këtë sezon ka mbrojtjen më të mirë me 8 gola të pësuar në 10 javë, duke përfshirë dhe sfidën e fituar në tavolinë 3-0 ndaj Napolit. Barazim me ta është edhe Verona e Juric, që vijon të mbetet një surprizë. Interesant janë edhe statistikat e 5 kampionateve kryesore në Europë. Numri i goditjeve në portë është 23, duke pasur një mesatare prej 2.56 goditjesh për ndeshje. Në Europë për momentin më mirë ka bërë vetëm Real Sociedad me 2.17 për ndeshje dhe Athletic Bilbao me 2.27.
Dëmtimet – Një tjetër sinjal shumë i mirë për Pirlon, që është prezantuar në krye të ekipit italian me një lojë dominuese dhe me kërkesën për të dhënë spektakël. Numrat deri më tani janë shumë pozitivë, duke marrë në konsideratë problemet e shumta nga dëmtimet në mbrojtje. Chiellini thuajse asnjëherë nuk është i disponueshëm, De Ligt u rikthye vetëm në nëntor, Demiral është ndalur dy herë nga dëmtimet, Alex Sandro mungoi për një kohë të gjatë dhe Danilo shpesh është përshtatur në një rol që nuk është i tiji, në qendër. Vetëm Danilo, Bonucci dhe Cuadrado kanë pasur një paraqitje konstante në mbrojtje. /Rozalb Lika-Koha Jone/