Me mendjen në Champions, Interi shkatërron Cagliarin në Seria A

Me mendjen te sfida e kthimit ndaj Bayern Munich në Champions League, Interi nuk ka bërë lëshime në kampionat. Në ndeshjen e javës së 32-të të Serie A, zikaltrit kanë marrë një fitore të pastër 3-1 ndaj Cagliari-t në “San Siro”, duke konfirmuar formën e mirë dhe synimin për ta mbyllur sezonin në krye.
Interi e nisi vrullshëm takimin dhe zhbllokoi shifrat që në minutën e 15-të. Marko Arnautovic realizoi një gol të bukur, pas një topi fantastik nga Carlos Augusto.
Vetëm dhjetë minuta më vonë, ishte radha e kapitenit Lautaro Martinez për të dyfishuar avantazhin. Sulmuesi argjentinas finalizoi saktë një aksion të shpejtë dhe pjesa e parë u mbyll 2-0 për vendasit.
Në fillimin e pjesës së dytë, Cagliari u rikthye në lojë. Në minutën e 47-të, Roberto Piccoli shfrytëzoi një mungesë përqendrimi në mbrojtjen zikaltër dhe realizoi me kokë pas një krosimi të saktë nga Aguello.
Por reagimi i Interit nuk vonoi. Në minutat në vijim, pas një goditjeje nga këndi të ekzekutuar nga Dimarco, mbrojtësi Yann Bisseck u shkëput në zonë dhe realizoi me kokë për rezultatin përfundimtar 3-1. Inter ngjitet përkohësisht në kuotën e +6 pikëve ndaj Napolit, i cili do të luajë të hënën përballë Empolit. /Koha Jonë/