Mechelen perfekt në 2024, tifozët nisin të ëndërrojnë. 52-vjeçari gjakovar po zhvillon një punë fantastike
Besnik Hasi ka arritur në një kohë të shkurtër të ndryshojë për mirë situatën te Mechelen, ekip ku u emërua trajner në ditët e para të nëntorit të vitit të kaluar.
Skuadra belge fitoi sot 2-3 në transfertë kundër Cercle Brugge, suksesi i tretë radhazi në Jupiler Pro League. 52-vjeçari gjakovar po zhvillon një punë fantastike. Ekipin e mori në vendet e fundit të tabelës, ndërkohë që po e afron gjithnjë e më shumë me “play-off”-et e titullit kampion.
Mechelen nuk ka humbur ende në 2024, vit gjatë së cilit numëron 6 fitore dhe 2 barazime. Një ecuri e jashtëzakonshme, ku merita të padiskutueshme ka edhe Hasi.
Trajneri shqiptar ka një përvojë të madhe, teksa ka drejtuar më parë edhe Anderlechtin në Belgjikë. Ekip të cilin e udhëhoqi drejt fitimit të titullit dhe Superkupës (2014).