Mediat italiane zbulojnë 5 dëshirat e Contes në merkaton e janarit
Mungojnë dy muaj, por Interi e ka të qartë strategjinë e merkatos për në muajin janar. Trajneri Antonio Conte ka kërkuar përforcime nga drejtuesit, pasi sipas tij nuk mund të përballohet sezoni me një grup kaq të reduktuar lojtarësh. Drejtuesit zikaltër shpresojnë që të arkëtojnë 70 milionë euro nga shitja e Mauro Icardit te PSG-ja, por një gjë e tillë mund të ndodhë vetëm në verën e ardhshme. Por cilët janë disa nga emrat që pëlqehen së tepërmi nga trajneri nga Lecce.
Arturo Vidal- Nuk është një risi, pasi edhe në të kaluarën ka qenë shpesh herë në qendër të zërave për t’u ribashkuar me Conten. Në rast se do të largohet Rakitic, atëherë ky operacion do të bëhej i pamundur, pasi blaugranët nuk do të kishin alternativa në mesfushë.
Rodrigo De Paul- Sulmuesi i Udinezes edhe gjatë verës ishte në listën e zikaltërve, pasi Pozzo nuk lejoi largimin e tij pa arkëtuar shifrën e 30-35 milionë euro. Zgjidhja mund të jetë huazimi me detyrim blerjen në fund të sezonit, pasi në verë klubi do të ketë edhe më shumë para në dispozicion në merkato.
Nemanja Matic- Në pamje të parë është operacioni më i thjeshtë. Mesfushorit serb i përfundon kontrata në verë, ndaj dhe mund të transferohet për një shifër shumë të ulët. Conte edhe më parë e donte tek Chelsea, por Matic zgjodhi që të kalonte te skuadra e Manchester United.
Christian Kouame- Dëmtimet e Sanchez dhe Politanos, kanë bërë që drejtuesit të mendojnë sërish në merkato për afrimin e një sulmuesi gjatë janarit. Kouame është një futbollist polivalent, i cili mund të luajë në disa role, teksa këtë sezon ka spikatur te Genoa.
Andrea Petagna- Një tjetër ide për repartin e sulmit, teksa mund të luajë si zëvendësues i Lukakut. Sulmuesi italian e njeh mjaft mirë portën dhe këtë gjë e ka treguar edhe te skuadra e Spal, duke realizuar 3 gola në 11 ndeshje. /R.Lika-Koha Jone/