Mema: Kam edhe unë kontribut te Tirana, dua që një ditë të drejtoj Vllazninë
Ardian Mema është i lumtur për sezonin e zhvilluar nga Tiranë, pasi ndien që ka edhe ai meritë në ndërtimin e këtij grupi, që dominoi kampionatin derisa u ndërpre. Në lidhjen me “FanZone” ai shprehur dëshirën që një ditë të drejtojë Vllazninë, ekipin ku ka luajtur dikur babai i tij.
Tirana ka bërë një sezon fantastik, sidomos në ndeshjet e fundit. Merita i takon trajnerit Egbo dhe lojtarëve. Tirana realisht është me një dorë te titulli. Asgjë nuk ka përfunduar, pasi matematikisht ende nuk janë shpallur kampionë. Kjo ndalesë i prishi punë, si njeri i familjes dua që ta marrim titullin. Futbollit asnjëherë nuk i dihet, pasi parashikimet jo gjithmonë janë të sakta.
Unë e dua me zemër Tiranën dhe kjo më bën krenar që seleksionova lojtarët. Më vjen keq që nuk e çova deri në fund, edhe unë kam atë pjesën time. Gjithmonë një sy dhe një vesh do ta kem tek ai ekip, besoj shumë te Tirana. Festë me ekipin? Pse jo, në stadium do të jem. Dua të shoh Tiranën pas shumë viteve të festojë.
E ardhmja? Kam dëshirë shumë të shkoj të punoj jashtë shtetit. Kam pasur oferta në janar dhe i kam refuzuar, sepse nuk ndihesha mirë. Kam një shpresë që do të shkoj jashtë, pasi është edhe një kontratë e mirë. Do ta kisha shumë dëshirë të shkoja te Vllaznia, pasi atje ka luajtur babai im dhe është një qytet me shumë sportdashës”, tha Mema.